Në pikën kufitare në Vërmicë është shtuar fluksi i veturave që po dëshirojnë të hyjnë në Kosovë. Aty pritjet janë deri në 15 minuta, ndërsa kolona afër 70 metra.
Qeveria e Kosovës së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë pritet të marrë disa masa të reja në kuadër të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit.
Në bazë të propozim vendimit të publikuar në media si dhe i bërë i ditur nga vetë ministri Armend Zemaj, që pritet të vendoset që nga 30 korriku, të gjithë-shtetasit e Republikës së Kosovës që vijnë nga vendet me risk të lartë të infeksionit (Republika e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë) obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
Gjithashtu pritet që të merret vendim, se të gjithë shtetasit e Kosovës që prej datës 30 korrik, që dalin jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe nuk kthehen brenda 48 orëve obligohen të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19 me testin RT-PCR në Sars COV-2, në të kundërtën obligohen të vetë-izolohen për 7 ditë në shtëpitë apo banesat e tyre.










