Izraeli nuk do ta pranojë praninë e forcave të armatosura turke në Gaza, siç përcaktohet nga plani amerikan që synon t’i japë fund përgjithmonë luftës në territorin palestinez, tha të hënën ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar.
Plani i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, përfshin forca ndërkombëtare në Rripin e Gazës dhe supozohet të sigurojë një armëpushim të brishtë që filloi këtë muaj, duke i dhënë fund luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas. Por mbetet e paqartë nëse shtetet arabe dhe shtetet e tjera do të jenë të gatshme të përfshijnë trupat e tyre ushtarake në forcën ndërkombëtare.
“Vendet që duan ose janë të gatshme të dërgojnë forca të armatosura duhet të paktën të jenë të ndershme me Izraelin”, tha Saar në një konferencë për shtyp të mbajtur në Budapest. Marrëdhëniet dikur të ngushta turko-izraelite janë përkeqësuar në mënyrë dramatike gjatë luftës në Gaza, me presidentin turk, Tayyip Erdogan, i cili kritikoi fushatën shkatërruese ajrore dhe tokësore të Izraelit kundër enklavës së vogël palestineze.
“Turqia, e udhëhequr nga Erdogan, ka pasur një qasje armiqësore ndaj Izraelit gjatë gjithë kohës”, tha Saar në një konferencë për shtyp së bashku me homologun e tij hungarez, Peter Szijjart.
“Pra, nuk është e arsyeshme të lejohen forcat e tyre të armatosura të hyjnë në Rripin e Gazës dhe ne nuk do të pajtohemi me këtë, gjë që ua kemi thënë qartë miqve tanë amerikanë”, shtoi ai.
Edhe pse administrata Trump ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Rripin e Gazës, ajo ka diskutuar kontributin e forcave ushtarake shumëkombëshe me Indonezinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe Azerbajxhanin.










