Ministri izraelit i mbrojtjes akuzon Hamasin se nuk po përmbush kushtet e armëpushimit për rikthimin e trupave të pengjeve të pajetë. Izraeli Katz i ka kërkuar ushtrisë të përgatisë planin për rinisjen e sulmit në Rripin e Gazës.
Izraeli kërcënon se do e nisë sërish luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës, pasi organizata palestineze nuk po përmbush kushtet e armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Izrael Katz, i kërkoi ushtrisë përgatitjen e një plani për mposhtjen e plotë të Hamasit, që mund të vihet në zbatim në çdo moment. Shkak është bërë deklarata e organizatës palestineze që sundon ende pjesën urbane të Rripit të Gazës se e ka të pamundur t’u kthejë autoriteteve izraelite të gjithë trupat e pajetë të pengjeve izraelitë.
Sipas Hamasit, duhen ekspertë për gjetjen e trupave të cilët kanë humbur në zonat e shkatërruara nga bombardimet e ashpra izraelite dhe e ka shumë të vështirë t’i gjejë mes rrënojave.
Hamas ka kërkuar më tepër kohë për gjetjen dhe dorëzimin e tyre tek autoritetet izraelite, teksa sipas kushteve të fazës së parë të planit të paqes së Donald Trumpit, 28 trupat e të vdekurve do të ktheheshin në të njëjtën ditë me 20 të gjallët e fundit.
Deri më tani, Hamasi u ka kthyer izraelitëve vetëm 8 trupa.
Të mërkurën, edhe presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Hamasin se nëse nuk çarmatoset, do të lejojë ushtrinë izraelite të kthehet në Gaza.