Izraeli miratoi marrëveshjen për blerjen e armatimit amerikan

Kabineti izraelit i sigurisë miratoi planin për forcimin e ajrore me avionët luftarakë dhe pajisjet e sofistikuara ushtarake me vlerë 9 miliardë dollarë që do të blejë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Sipas lajmit të medias publike të Izraelit (KAN) plani në fjalë është miratuar me 3 muaj vonesë.

Plani parashikon blerjen nga ShBA-ja të avionëve e helikopterëve luftarakë dhe avionëve cisternë për furnizimin me karburant në ajër. Në mbledhjen 7-orëshe të kabinetit ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz.

Sipas televizionit KAN, Ministria e Financave e kundërshtoi marrëveshjen pasi Tel-Avivit zyrtar do t’i duhet të marrë kredi nga bankat amerikane për të financuar planin dhe kjo do të nënkuptojë një rënie të mbështetjes vjetore që ShBA-ja i jep Izraelit.

Disa nga produktet e industrisë së mbrojtjes që Izraeli ka në plan të blejë nga ShBA-ja janë: helikopterë të tipit «Chinook», aeroplanë luftarakë tip «F-35» dhe «F-16», bomba dhe armë të sofistikuara.

ShBA-ja është mbështetësi më i madh ushtarak i Izraelit. Në vitin 2018 Uashingtoni njoftoi se brenda 10 viteve do të sigurojë 38 miliardë dollarë ndihma ushtarake për këtë vend.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu