Ja çfarë shkruajnë mediat australiane për Elvis dhe Belina Pupën pas arrestimit për shtëpi bari

Belina Pupa, terapiste dhe influencuese e njohur në rrjetet sociale, është përballur me drejtësinë në Australi pasi u akuzua për kultivim të 43 bimëve kanabisi në një pronë në Ascot Park, Adelaide.

Mediat australiane i kanë kushtuar vëmendje të madhe këtij rasti, duke zbuluar edhe detaje të reja për jetën e saj profesionale dhe akuzat që rëndojnë mbi të.

Sipas gazetës “The Advertiser”, Belina Pupa, 39 vjeç, është paraqitur këtë të martë përpara Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide, por ende nuk ka paraqitur ndonjë deklaratë fajësie.

Ajo akuzohet për kultivim të një sasie të konsiderueshme kanabisi dhe për ndërhyrje të paligjshme në rrjetin elektrik.

Belina jeton në zonën Semaphore të Australisë Jugore dhe është themeluese e “One Healthy Mind”, një biznes që promovon shëndetin mendor dhe mirëqenien fizike.

Në faqen e saj zyrtare thuhet se ajo ka qenë pedagoge e drejtësisë në Shqipëri, ka punuar në fushën e pasurive të paluajtshme dhe financave në SHBA, dhe gjithashtu ka shërbyer si këshilltare familjare dhe shkollore në Australi.

Avokati i saj kërkoi që gjykata të ndryshojë kushtet e lirimit me kusht, në mënyrë që Belina të mund të udhëtojë drejt Shqipërisë për arsye pune.

“Klientja ime ka një biznes ndërkombëtar dhe klientelë në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Ajo shpenzon rreth tre muaj në vit në Shqipëri ku ofron shërbimet e saj edhe në televizion,” u shpreh avokati në sallën e gjyqit.

Por prokuroria kundërshtoi me forcë këtë kërkesë, duke e konsideruar rastin të rëndë.

Gjithashtu, prokurori theksoi se bashkëshorti i saj, aktori i njohur shqiptar Elvis Pupa, i cili është bashkë-akuzuar në këtë çështje, është larguar nga Australia dhe është në kërkim.

Magjistratja Natalie Browne vendosi që Belina Pupa të mbetet në liri me kusht deri në seancën e radhës që do të zhvillohet javën tjetër.

Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin shqiptar në diasporë, ku Belina Pupa njihet për promovimin e temave të shëndetit mendor dhe shfaqjet në emisione televizive.

Arrestimi i saj dhe përfshirja e partnerit të saj në këtë çështje kanë ngritur pikëpyetje të shumta mbi ndikimin që kjo ngjarje do të ketë në jetën dhe karrierën e tyre publike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu