Ja çka mendon ish-ambasadori shqiptar për krizën në Maqedoni

Ish-ambasadori shqiptar në Maqedoni, i cili njihej si shumë i afërt me BDI-në, Arben Çejku, sot drejtor i Qendrës për Qeverisje të Mirë: “Jo çdo krizë e rëndë politike apo institucionale, duhet patjetër të lidhet me skenarë dhe mjete destabilizuese”

“Kriza politike në Maqedoni mund të zgjasë. Madje edhe mund të agravohet. Por nuk besoj se do të shndërrohet në konflikt ndëretnik”. Ky është parashikimi që ish-ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku, jep në lidhje me zhvillimet e fundit në shtetin fqinj, në një intervistë të posaçme për “Albanian Free Press”. Si një njohës i mirë i çështjeve të rajonit, ai shton në këtë kuadër se palët me siguro që do të gjejnë zgjidhje përmes një qeverie me bazë të gjerë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare e ato lokale (të parashikuara për në muajin prill) diku në fund të shtatorit. “Çdo krizë që zgjidhet përmes votës, ka më shumë bazë dhe jetëgjatësi, sesa çdo lloj zgjidhjeje që diktohet me dhunë. Ndëshkimet mund të jenë për politikanët, por jo për vendet dhe popujt e tyre”, pohon Çejku…

Z.Çejku, çfarë ndodhi realisht në Maqedoni? Si paraqitet në optiken tuaj vendimi i Ivanovit?

Arsyeja kryesore, që e ka shtyrë Presidentin Ivanov që të luajë me dy standarde dhe t’i refuzojë mandatin Zaevit për formimin e qeverisë së re, është thellësisht politike dhe partiake. Argumentimi i tij (nëse do të kishte arsye) duhej të mbështetej thjesht në Kushtetutën e vendit dhe jo të anatemonte si rrezik për vendin ofertën politike të partive shqiptare. Justifikimi i tij ishte një goditje e dyfishtë për stabilitetin e vendit. E para riktheu kaosin institucional për qeverisjen e vendit dhe e dyta, u hodhi benzinë marrëdhënieve delikate ndëretnike. Ai erdhi në krye të shtetit si një partiak i bindur i VMRO-DPMNE-së dhe nuk mund të sillej ndryshe. Për të ka mbetur i pakapërcyeshëm politikisht dhe emocionalisht fakti që në garën e tij për mandatin e dytë, shqiptarët nuk e votuan, por e refuzuan. Qëndrimi i dyfishtë i BDI-së, e cila pati deklaruar mosnjohjen e tij si president dhe më tej bashkëpunimi me të për zgjidhjen e krizës, mori një goditje shembullore. Unë mendoj se nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, opozita dhe shqiptarët, duhet të kërkojnë po ashtu zgjedhje për një president të ri. Nuk është hera e parë që Ivanov dëmton vendin me qëndrimet e tij politike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu