Fushata elektorale ka marrë vëmendjen maksimale ditët e fundit. Kjo pasi ethet për partitë dhe kandidatët e tyre janë shtuar së tepërmi me afrimin e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen të dielën, më 11 maj.
Astrologia e njohur, Meri Shehu, ishte mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku bëri parashikimin e 12 shenjave të horoskopit.
Por jo vetëm, pasi gazetari Blendi Salaj, e pyeti Merin edhe në lidhje me zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj.
“Të dielën janë zgjedhjet, ke ti një parashikim për zgjedhjet?”, ishte pyetja e bërë nga Blendi.
Shehu tha se kemi përballë kryeministrin Edi Rama që është i shenjës së Gaforres dhe ish-kryeministrin, Sali Berisha, i shenjës së Peshores.
Sipas astrologes, të dyja shenjat kanë lidhje me Saturnin këtë periudhë, por Gaforrja e ka me tendencë më pozitive ngritjen në shtëpinë e 10.
“Po, kemi dy përfaqësues. Kemi shumë përfaqësues, po gjithmonë luhet me dy porta, ato kryesoret. Kryeministri Gaforre, tjetri Peshore. Dy shenja kardinale, në kuadrat. Të dy kanë lidhje me Saturnin në këtë periudhë. Gaforrja e ka shtëpinë e 10, Peshorja e ka përballë. Thashë, Gaforrja e ka me tendencë më pozitive ngritjen në shtëpinë e 10 sado që Saturni është manifik për të dy, është shumë shtrëngues, asnjëri se ka të lehtë fare. Plus që Gaforret parapërgatiten për një 1-vjeçar shumë të fuqishëm se futet Jupiteri në shenjën e tyre. Kështu që të paktën astrologjikisht kemi thënë se ky është viti i Gaforres”, tha Meri Shehu.
Astrologia shtoi se ‘është e kryqëzuar në dhënien e këtij mesazhi pasi edhe për Peshoret futet në shtëpinë e 10’.