Ja kush i ka gjasat më të mëdha për president të Kosovës?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.

Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi. Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat.

Sipas kryeministrit Kurti, nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, atëherë zgjedhjet e reja do të mbahen në prill.

“Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.

Profesori i njohur prof.dr. Enver Bytyqi theksoi për Bota Sot se periudha në vijim është vendimtare se a do të ketë Kosova presidentin e ri në afatin e duhur dhe se sipas tij janë dy kandidat që synojnë këtë fron.

Bytyqi përmend një garë të ngushtë midis presidentes aktuale Vjosa Osmani dhe Bashkim Jasharin, anëtarin e familjes së Adem Jasharit.

“Unë gjithashtu kam kërkuar që zonjës Osmani t’i mundësohet edhe një mandat i dytë si presidente e Republikës së Kosovës. Por sinqerisht, pas zhvillimeve të fundit dhe përuljes që ajo i bëri Edi Ramës, jam në dilemë. Nëse do të kishte një kandidaturë tjetër të respektuar, ndoshta do ta përkrahja. Vetëm se më dhimbset, pasi Kosova me Vjosën investoi shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pati krijuar një identitet të fuqishëm. Megjithatë kjo nuk do të thotë se pasardhësi i saj, nëse kandidati do të jetë me emër tjetër, nuk do të vazhdojë këto përpjekje për shtetësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Duke vazhduar bisedën, profesori thotë se partitë opozitare duken të gatshme për kompromis për presidentin dhe se kandidati më i mundshëm mund të jetë Bashkim Jashari, pasi askush nuk do të rrezikonte të votonte kundër një anëtari të familjes së Adem Jashari. Ai e quan të pavend debatin për veprimtarin shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari si kandidat të mundshëm, ndërsa përmend edhe kundërthëniet mes Daut Haradinaj dhe Ramush Haradinaj për kandidaturën./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu