Nga viti i ardhshëm, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nuk do të kenë më nevojë për dëftesa të printuara, sepse të njëjtat do të jenë në formë elektronike. Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila shtoi se ky ndryshim nuk do të paraqes kosto as për prindërit e as për shkollat siç ka qenë deri tani, kur ato i printonin dhe i jepnin dëftesat. Sipas Janevskës, për regjistrimin në shkollë të mesme apo në universitet, sistemet janë të lidhura dhe do të mund të tërheqin dëftesat për nxënësin dhe të kenë qasje në suksesin e tyre.
“Edhe në këtë moment sistemi, përkatësisht ditari elektronik, mundëson printimin e dëftesave elektronike. Nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën nuk u nevojiten. Atyre u nevojitet dëftesa nga klasa e nëntë për të vazhduar në shkollën e mesme. Por shkollat e mesme i kërkojnë edhe dëftesat e tjera. Edhe këtë vit kjo mund të bëhej, por do ta bëjmë nga viti i ardhshëm. Shkolla e mesme, pasi nxënësit të regjistrohen në mënyrë elektronike, do t’i tërheqë vetë të gjitha dëftesat përmes sistemit elektronik, për të kontrolluar suksesin ose çdo gjë tjetër sipas kritereve të tyre. De facto, prindërit dhe nxënësit nuk kanë nevojë ta kenë dëftesën në dorë. Përveç nëse duan të shoqërohen në atë kohë, të lavdërohen, të gëzohen e disa edhe të dëshpërohen që të japin më shumë mund, këtë do të mund ta vendosin prindërit dhe nxënësit”, deklaroi Vesna Janevska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës. /Alsat.mk