Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Raportin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Kreu i qeverisë u ndal te plagjiatura ku tha se ‘ky është atdheu i plagjiaturave dhe kjo dihet’.
Për sa i përket raportit të shtetit me të dhënat, ai tha se ‘jemi për ibret’. Sakaq Rama u ndal te kërkimi shkencor duke thënë se ‘jemi në fazën belbëzuese’
“Plagjiatura… që ky është atdheu i plagjiaturës kjo dihet. I vetmi që mbeti pa adresuar është plagjiatura, ky është fakt.
Patjetër që i bëmë shkurtim doktoraturave, ça doktoraturash? Doktoratura kot. Këto duhet të na motivojnë që t’i shkojmë gjërat më thellë dhe ndaj them se pavarësisht se çfarë mund të diskutohet,
Thelbi është ky, problematikat qëndrojnë nga i pari tek i fundit. Më thoni një nga ato që tha profesori që nuk ndryshon. Të gjitha janë të vërteta.
Mund të jetë një i specializuar vetëm me një gjë, ke një fakultet në Gjirokastër dhe mbaroi filmi. Po në Gjirokastër i ke të gjitha. Atëherë çfarë faji ka profesori? Një pikë kyçe që del në pah është që si ka mundësi që si rektori vjen me një vizion dhe ndërkohë i del një aty dhe i thotë ‘unë s’të pyes fare se kam vizionin tim’. Si mund të jetë?
Duhet të bëjmë një transformim domethënës në këtë periudhë që përkon me anëtarësimin në BE. Duhet të vendosim stekën shumë më lart. Përderisa janë arritur të bëhen 1, 2, 3 gjëra që dukeshin të pamundura, do bëjmë të tjera gjëra të realizueshme.
Jemi ibret në këtë pikë, në raportin e shtetit me të dhënat, në kuptimin se sa në mbledhim, përpunojmë të dhënat. Jemi të gjithë bashkë në nivelin më të ulët të mundshëm. Mos u ndjeni të fyer, jeni ibret.
Disave u jepet volum i madh pune e disave nuk u japin fare punë. Për sa na takon, jemi të vetëdijshëm që kemi reflektime për ta çuar më tutje këtë punë. Jemi në një fazë belbëzuese të kërkimit shkencor. Nga çerdhja në kopsht është progres. Ashtu si nga djepi i drurit në çerdhe.”, u shpreh Rama.
Fjala e plotë e Ramës:
Të bëj një ndërhyrje të ndërmjetme për të mos lënë si të thuash këtë brumë që u krijua pa nxjerrë një bukë që na duhet për më tutje se ky është dhe qëllimi.
Unë besoj që në radhë të parë mbase qasja që pati rektori ishte shumë e përqendruar tek Universiteti i Tiranës ndërkohë kjo është qartësisht një pasqyrë për të gjithë universitetet dhe duke qenë se ju jeni njerëz që bëni fushata dhe zgjedhje dhe në këtë pikë kemi një si të thuash punë të përbashkët, nga eksperienca ime dua t’ju them që nëse doni të fitoni zgjedhjet përsëri duhet ta shikoni gjënë nga këndvështrimi i atij që sapo ka ardhur jo i atij që ka qenë aty dhe preket kur gjërat që ka bërë nuk i dalin në pah si duhet ose kur të metat që ka ua vënë në pah më shumë seç duhet.
Ogerta e di shumë mirë që hallin më të madh të gjithë bashkëpunëtorët e mi e kanë pasi fitojmë zgjedhjet sesa deri kur i fitojmë zgjedhjet pasi ajo që unë i kërkoj dhe vetes dhe kolegëve është të ri shpikim vetveten duke parë gjërat që i kemi bërë si gjërat që i ka bërë armiku jo si gjërat që i kemi bërë vet.
Ndërkohë nuk besoj se është faji i pasqyrës kur pasqyra na thotë disa të vërteta dhe unë përtej detajeve të shifrave them se ato që ishin përmbajtjesore dhe thelbësore në rekomandime, se aty u fokusova më shumë, janë të gjithë të vërteta dhe janë të gjithë piketa në mënyrën sesi ne duhet te shikojmë të nesërmen dhe ku duhet të ecim.
Dhe pavarësisht se sa do të kushtojë ose do të kushtonte që ne të kishim më shumë pedagogë “full time” sesa “part time” kjo nuk e ndryshon faktin të pasurit të 50% të stafit akademik “part time” është problem. Që ky është problem, është problem. Pastaj se sa kushton zgjidhja e problemit dhe sa kohë duhet për ta zgjidhur problemin kjo është temë tjetër ama problemi nuk relativizohet për faktin se ne e kemi këtë nga halli. Tjetra që pa diskutim mendoj unë duhet të jetë një fiksim i ri i joni është që të shtojmë kapacitetet e diasporës në botën tonë akademike.
Kemi shumë njerëz dhe ju keni plot kolegë, të njohur, ish shok klase që sot janë në universitetet e botës edhe shtimi i universiteteve tona me ta në radhët e akademikëve tanë është domosdoshmëri dhe ne mendoj, nuk është fare e paarsyeshme të vendosim “target” edhe në këtë pikë dhe të vendosim dhe kushte në këtë pikë që t’i vëmë universitetet në pozitën që ta kërkojnë këtë gjë për të përmbushur kushtin, disa e bëjnë, disa se bëjnë. Po kjo duhet kthyer në një gjë uniformë them unë.
Tjetra që është fakt, nuk e ka fajin as bordi, as raporti është që ne kemi një numër universitetesh për metër katror më të madh sesa Sllovenia, sesa Anglia dhe sesa plot vende të tjera. Ndërkohë që kemi pasur dhe më shumë, kemi shkurtuar, por kemi shumë. Ky është fakti dhe është kaq e vërtetë që kemi shumë saqë në mendësinë e shumëkujt është bërë e udhës që sa herë ka një fushatë zgjedhjesh të thonë “kur të shkosh atje premto një universitet se e duan afër te shtëpia”, ndërkohë që Shqipëria është krejt e vogël dhe distancat janë fare të shkurtra dhe burimet njerëzore të Shqipërisë nuk janë burimet njerëzore të Kinës. Dhe s’mund të kemi universitete sa ka Kina.
Kështu që, kemi folur dhe më parë për racionalizimi e universiteteve, por se kemi bërë asnjëherë. Jo po se Gjirokastra duhet ta ketë, jo po si mos të ketë Vlora ndërkohë që këtu nuk bëhet fjalë për të mbyllur, këtu bëhet fjalë për të ndryshuar strukturë dhe për të ndryshuar qasje, nuk bëhet fjalë për të mbyllur vatra që i shërbejnë dijes, por bëhet fjalë për të ndryshuar. Pastaj dalim te programet që sigurisht e kemi problem shumë të madh, programe që bëhen për të mbajtur studentë ose për të pasur studentë dhe jo për prodhuar ekonomi dhe për të prodhuar dije. Ky është fakt. Se nuk dua të hyj në të thellat të përpjekjes që bën Universiteti Bujqësor, por rezistencë absurde nga një nukël X nga një universitet Y që “jo, nuk i bashkohemi ne kësaj se e kemi ndryshe muhabetin”. Po si e kemi ndryshe muhabetin?
Tjetra që besoj është shumë e qartë, është që ndërkombëtarizimi ka filluar patjetër, po jep disa rezultate patjetër, por jemi larg. Që nëqoftëse ne nuk do pranojmë që jemi larg, ne nuk do ecim dot më shpejt përpara. Po se pranove problemin nuk ke asnjë mundësi ta zgjidhësh. Se nuk e pranon dhe nuk e njeh si problem ose nëqoftëse e njohin pjesërisht.
Jemi larg. Ambicia jonë duhet të jetë shumë më e madhe dhe pajtimi ynë me të shkuarën, në kuptimin me çfarë kemi bërë deri tani është thjeshtë një çështje për ta vënë në tryezë kur nuk merremi më me këtë punë. Ne momentin që e lëmë këtë punë, i themi vetes “ja se bëra këtë e bëra atë, bëmë këtë e bëmë atë”, por për sa kohë jemi në këtë punë, asgjë s’kemi bërë, duhet të bëjmë më shumë, duhet të bëjmë diçka tjetër, duhet të bëjmë diçka ndryshe, duhet të ri shpikim çdo ditë se përndryshe nuk e çojmë dot me shpejtësi punë përpara. Ky është thelbi. Plagjiatura? Që ky është atdheu i plagjiaturës ne këtë e dimë shumë mirë apo jo. Si ta fshehim tani?
U bë zhurmë e madhe në një moment të caktuar. U bë gjithë ajo lëvizja e madhe atëherë, Pakti për Universitetin, i vetmi element që mbeti i pa adresuar fare është plagjiatura. Ky është fakt, nuk është opinion.
Jo po se duhet ta adresojë vet subjekti, domethënë ai që e ka dhënë duhet të thotë shiko se kam dhënë gabimisht, “jo po se duhet të ketë një reflektim nga autori plagjiaturës, jo se nuk e bën dot Akademia e Shkencave se e drejton një komunist” dhe praktikisht plagjiatura ne Shqipëri nuk është e adresuar si duhet, të jemi realistë.
Patjetër që ne i bëmë një mbyllje dhe jo të shkurtër doktoraturave, se më mirë djepi bosh se shejtani brenda thotë një fjalë. Çfarë doktoraturash? Doktoratura kot? Dhe tani ka rifilluar me gjasën që disa gjëra janë vënë më në vijë, mekanizmi është më i besueshëm etj, por dhe sot që flasim ne i kemi në proces ata doktorët e rinj që do vijnë. Që shpresoj të jenë doktorë, mos jenë berberë. Të gjitha këto, ne duhet të na motivojnë që t’i shkojmë gjërave më thellë dhe t’i shkojmë më përpara.
Prandaj në këtë pikë, unë them që pavarësisht se çfarë mund të diskutohet në raport nga raporti, sherri me shifrat nuk është asnjëherë i arsyeshëm. Sherri me faktet nuk është asnjëherë i arsyeshëm. Mund të ketë fakte të tjera, mund të ketë shifra të tjera që mund të shtohen patjetër, por thelbi unë besoj është ky, të gjitha ato rekomandimet qëndrojnë nga i pari te i fundit, më thoni një që nuk qëndron. Pastaj, si është puna, është muhabet tjetër, pse është ashtu dhe nuk është ndryshe është çështje tjetër, por më thoni një nga ato që tha profesor Raqi që nuk qëndrojnë. Një! Më thoni, ky rekomandim nuk qëndron se ne këtë e kemi. Nuk ka! Të gjitha janë të vërteta. Që nga 41 universitete në një vend kaq të vogël dhe jo 41 universitete, por 41 universitete që në një masë të madhe kanë programe gjeneraliste që prodhojnë gjithfarë lloji doktorësh. Se mund të jetë njëri i specializuar vetëm në një gjë dhe e di që e ke, do të merresh me trashëgimi kulturore dhe do të merresh me arkeologji dhe do të merresh me ku di unë, antropologji dhe çfarë tjetër, ke një fakultet, e ke në Gjirokastër, mbaroi filmi. Po në Gjirokastër ke infermieri, ke ekonomi, ke juridik, ke astronomi, ke astrologji i ke të gjitha. Atëherë, çfarë flasim ne?! Çfarë faji ka profesori që thotë Sllovenia ka 17 universitete. Kemi folur ne për krijimin e një sinergjie me epiqendër universitetin e Tiranës siç ka qenë dikur, po patjetër që pastaj fillon historia jo po kush do jetë rektori, po sa rektorë do jemi, jo po sa katedra do kemi jo po sa do t’i kemi rrogat, ndërkohë që një pikë kyçe që del në pah nga procesin me Universitetin BOKU, është po mirë si mund të ketë në një universitet, 7 nivele të zgjedhurish. Si mund të ketë? Si mundet që rektori i universitetit që vjen i zgjedhur nga shumica, vjen me një vizion, vjen me një platformë dhe ndërkohë i del një atje te katedra X, dhe i thotë “s’të pyes fare, unë kam vizionin tim, kam platformën time” se dhe mua populli më ka zgjedhur. Si mund të jetë? Mund të ketë dhe kështu ndonjë model, por flasim për çfarë u ngrit, për çfarë është për shembull një kontradiktë në objekt, gjë që do ta bënte të pamundur që universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë 100% binjaku BOKU-t dhe të ketë diplomat e BOKU-t. Ata thonë jo, ne nuk e pranojmë këtë. Si mund të pranohet kjo që ti je rektori dhe ka 7 vizionarë të tjerë dhe që kanë 7 platforma të tjera dhe që shkojnë në 7 drejtime të ndryshme dhe që me ty mund të flasin për mirësjellje, por një ditë të bukur thonë ik se s’të njoh fare se e kam ndryshe vizionin. Unë nuk njoh kompjuterin, njoh televizorin.
E solla si shembull ekstrem, por për ta mbyllur këtë pjesë të parë se edhe u zgjatëm të gjithë pak, por më mirë që u zgjatëm, duhet të fokusohemi për të bërë një transformim të mëtejshëm dhe shumë domethënës në këtë periudhë që përkon me periudhën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe duhet të vendosim stekën shumë më lart. Progresi i deri tanishëm na jep të gjitha arsyet vetëm për një gjë, që të besojmë që është e mundur të shkojmë shumë më lart, por asnjë gjë tjetër. Përderisa janë arritur të bëhen 1,2,3, 4 që dukeshin shumë të vështira ose të pamundura disa kohë përpara, do të thotë që mund të bëhen 1,2,3,4,5 të tjera dhe ne këtu duhet të fokusohemi.
Për ne nga ana jonë, leksioni që kemi marrë nga bordi dhe nga historia e ekspertëve dhe nga gjithë këto të tjerat dhe nga mungesa e të dhënave, se në këtë pikë jeni ibret ju, por nuk jeni vetëm, jemi të gjithë ibret në këtë pikë, domethënë në raportin e shtetit me të dhënat, në kuptimin se sa ne mbledhim të dhëna dhe sa ne përpunojmë të dhëna dhe sa ne bëjmë politika bazuar në të dhëna, jemi të gjithë bashkë në nivelin më të ulët të mundshëm krahasimisht me vendin e fundit para nesh të Bashkimit Europian. Kështu që mos u ndjeni fare të vetëm në këtë dhe mos u ndjeni të fyer jeni ibret dhe cili është leksioni që marrim ne nga kjo, që ASCAL-i nuk mundet dot të jetë një institucion që përpunon të dhëna në mënyrë sasiore dhe në mënyrë cilësore. Nuk mund të jetë një institucion që pajtohet me ekspertë që nuk kanë arsimin përkatës. Çfarë faji ka bordi se eksperti X apo Y nuk ka arsimin përkatës për të bërë atë punë që i kërkohet apo nuk ka pikën e integritetit për të thënë në fund që kjo nuk shkon, kjo nuk shkon, kjo nuk shkon atëherë ky program nuk duhet akredituar. Por thotë, kjo nuk shkon, kjo nuk shkon, kjo nuk shkon programi është ‘ok’. Muhabet shqiptari. Ose më keq akoma, që nga gjithë ata ekspertë të emëruar, të pranuar si të tillë, disave i jepet një volum i madh pune, disa të tjerë, nuk thirren një herë tu thuhet hajdeni tu japim punë.
Kështu që, për sa na takon, ne jemi të vetëdijshëm që kemi nga ana jonë, reflektime të rëndësishme për të bërë bazuar në këtë eksperiencë, jo te raporti, se raporti është vetëm një element, por te gjithë kjo eksperiencë e këtyre 4 vjetëve me të mirat dhe boshllëqet e veta, për ta çuar më tutje këtë pune me një hap më të shpejtë dhe ambicie më të mëdha. Ne, qeveria flas, unë, ministrja. Solla shembullin e ASCAL-it, por s’është vetëm ASCAL-i. Jemi të gjithë në këtë histori që duhet të nxjerrim konkluzionet tona. Them që të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju, dhe këtu nuk jeni të gjithë njësoj se ka kategori e kategori.
Universiteti i Tiranës ka tjetër pozicion, universitete të tjera kanë tjetër pozicion, universitetet publike me financim privat siç i quaj unë, se këta i quajnë jopublike, domethënë të njerkës, kanë tjetër pozicion dhe duhet që të gjithë bashkë të nxjerrin konkluzionet e veta, në mënyrë që kur të fillojmë adresimin e ligjit të arsimit të lartë, të mos mbytemi në një lugë ujë, por të shohim ekzaktësisht se kush do bëjë çfarë. Dhe patjetër që kur vjen puna te qeveria, do marrë dhe qeveria disa përgjegjësi më shumë edhe në aspektin financiar.
Ne jemi në një fazë belbëzuese të kërkimit shkencor. Kërkim shkencor dakord, nuk bënim fare se kishim kërkimin shkencor që na bënte Ismeti i Kristalit, por jemi në një fazë belbëzuese të kërkimit shkencor. Të themi të vërtetën tani. Domethënë, ditën kur diçka e prodhuar nga kërkimi shkencor do na japi diçka jashtë mureve të universitetit, do themi filluam dhe ne të kemi kërkim shkencor. Kërkim shkencor aty brenda përbrenda, është belbëzim, në kopsht me një fjalë. Po mirë, shumë mirë se nga çerdhja në kopsht, është progres, nuk diskutohet. Ashtu sikundër është progres i madh nga djepi i drurit në çerdhe.
Faleminderit për pasionin me të cilin trajtuat çështjen. E vlerësoj shumë se pa atë përflakje nuk do kishim dot një motivim të gjithë së bashku, qoftë dhe për të provuar njëri-tjetrin gabim, se dhe ajo e forcon dialogun dhe na bën të gjithëve që të provojmë që jo, është kështu. Në rregull, rëndësi ka që në fund fare, askush këtu nuk kërkon të zërë vendin e dikujt tjetër dhe as t’i marrë dikujt tjetër punën apo flamurin apo meritat. Të gjithë këtu jemi për një qëllim, secili nga këndi i vetë. Unë personalisht dhe dua ta besoni këtë gjë, përsa i përket qeverisë, me arsimin e lartë kemi jo pak gjëra që duhet t’i shohim ndryshe, t’i bëjmë ndryshe, për më mirë flasim dhe që të jemi edhe më pranë jush për ato gjëra që ju keni të drejtë. Për ato gjëra që s’keni të drejtë, duhet ta gjeni vetë, se ju jeni dhe autonomë. Nuk ua u themi dot ne këtë punë.