Gzim Kadriu, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe deri dje drejtor i NP “Pazarishte” në Kumanovë, ka dhënë dorëheqje, duke akuzuar për sabotim të projekteve që ishin në interes të qytetarëve shqiptarë.
Sipas Kadriut, pas daljes së ASH-së nga qeveria, filloi edhe bllokimi i projekteve në nivel lokal. Ai thotë se një këshilltar shqiptar i zgjedhur me vota maqedonase iu bashkua partisë së Izet Mexhitit, duke i dhënë kryetarit të Komunës, Maksim Dimitrievski, mbështetje të plotë, ndërsa ASH u largua nga pushteti lokal.
“Partia e re e këshilltarit nuk kërkoi asgjë për shqiptarët, veçse largimin e ASH-së dhe ndalimin e projekteve që kishim nisur. Kjo u pranua me dëshirë nga Dimitrievski”, tha Kadriu.
Ai u shpreh se ka qenë i vetmi drejtor shqiptar që ka hequr dorë nga përfitimet personale për të mbrojtur buxhetin dhe për të investuar në projekte. “Po të ndiqej shembulli im, do të kishim kursyer një milion euro dhe mund të kishim ndërtuar një kopsht për fëmijët”, theksoi ai.
Në seancën e fundit të Këshillit, Kadriu u kritikua për gjendjen financiare të ndërmarrjes, por ai u mbrojt duke theksuar se “Pazarishte” nuk përfiton drejtpërdrejt nga qytetarët dhe varet nga qiramarrësit, ndërkohë që projektet për modernizimin e tregut nuk morën mbështetjen e Komunës./INA/