Presidenti i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se “pushteti me dorëzimin e sistemit elektro-energjetik në veri , sistemit të përbashkët të Kosovës së vetëshpallurës dhe Shqipërisë, ka bërë hap të madh konfirmimi i pavarësisë së atij etniteti dhe këtë tentojnë ta fshehin Brnabiç dhe zyrtarët e tjerë”, shkruan “Nova.rs”.
“Pushteti kështu pjesë-pjesë po dorëzon sovranitetin e Serbisë ndaj Kosovës, ashtu që në fund do të mbetet vetëm nënshkrimi i saj”, ka thënë Jeremiç. “Ky dorëzim do të ndodhë të hënën, ndërsa pushteti rreth kësaj nuk po flet as edhe një fjalë. Përderisa mashtrojnë opinionin, po shkatërrohet çdo gjë – sovraniteti i Serbisë, shëndetësia, arsimi, sistemi i mbrojtjes…”, tha Jeremiç në Beograd në Kuvendin Zgjedhor të këshillit komunal të Partisë Popullore të Palillullës.
“Thonë se kjo është pjesë e marrëveshjes në dialogun në Bruksel, por njëjtë është arritur edhe marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe , por prej saj nuk ka asgjë tash e shtatë vite”, tha ai. Sipas Jeremiç, “pushteti pjesë-pjesë po dorëzon sovranitetin e e Serbisë mbi Kosovën, ashtu që në fund do të mbetet vetëm edhe vënia e nënshkrimit të Beogradit, me të cilin do të i mundësohet anëtarësimi në OKB për Prishtinën”.









