Merkato do kohë të nisë. E kemi fjalën për hapjen zyrtare të sesionit të verës, por Juventusi nuk dëshiron të kapet i papërgatitur. Me një sy në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me Ajax në çerekfinale, drejtuesit bardhezinj po mendojnë edhe për përforcimet.
Duke ditur se për Matthijs De Ligt, i ndjekur dhe admiruar prej një kohe të gjatë, kanë konkurrencën e ashpër të Barcelonës, PSG dhe Bayern Munich, kampionët e Italisë po shikojnë pista të tjera. Tashmë është identifikuar Ruben Dias, mbrojtës i fortë qendror i datëlindjes 1997. Ky djalosh pëlqehet aq shumë, sa Fabio Paratici, siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, do të ishte gati të fluturonte drejt Lisbonës, për ta ndjekur atë.
Momenti për këtë? Ndeshja Portugali-Serbi, të hënën në mbrëmje, në “Da Luz”. Natyrisht, edhe për këtë talent të ri ka konkurrencë, nga PSG dhe, mbi të gjitha, Atletico Madrid. “Colchoneros” do të humbasin Diego Godin, i destinuar për Interin, dhe e kanë identifikuar tashmë Ruben Dias si zëvendësim perfekt për uruguajanin.
Në fakt, ky qendërmbrojtës nuk është i vetmi lojtar, në radarin e Juventusit. Joao Felix konsiderohet në Portugali si trashëgimtari i Cristiano Ronaldos, për të cilin, megjithatë, ekziston një klauzolë lirimi prej 120 milionë eurosh. Kjo shifër, aktualisht konsiderohet e paarritshme nga bardhezinjtë. Gjithsesi, pas Ronaldos dhe Cancelos, Juventusi mund të ketë edhe më shumë portugezë në përbërje, gjatë muajve të ardhshëm.










