Kaloni në të gjelbër dhe bllokoheni në kryqëzim…“Safe City” e regjistron dhe mund të paguani 45€ gjobë

Edhe pse keni kaluar në dritë të gjelbër, por për shkak të kolonës keni mbetur me automjet në kryqëzim, nuk do t’i shpëtoni gjobës. Kundërvajtja do të regjistrohet dhe do të duhet të paguani gjobë prej 45 eurosh në kundërvlerë denarësh, sepse si shofer është dashur të vlerësoni nëse mund ta kaloni kryqëzimin apo jo. Me vlerësimin e gabuar keni shkaktuar bllokim të trafikut. Lajmi i mirë është se sistemi “Safe City” nuk do ta regjistrojë këtë kundërvajtje si kalim në dritë të kuqe, siç ishte rasti në fillim, për të cilin parashihej edhe marrja e patentë-shoferit.

“Fillimisht kamerat ju identifikonin sikur keni kaluar në të kuqe, sepse ju kapnin në zonën e ndaluar të lëvizjes edhe pse keni hyrë në të gjelbër, por këtë e korrigjuam dhe kjo kundërvajtje nuk do të konstatohet më si kalim në të kuqe me ndalim, por si bllokim i kryqëzimit, të cilin do ta fusim shtesë në kuadër të Safe City”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Sa mund t’i njoh Safe City shkelësit e vërtetë të ligjit? Ministri thotë se sistem i përsosur nuk ekziston, por shton se gabimet që paraqiten do të korrigjohen gradualisht. Çdo qytetar që mendon se është dëmtuar, ka të drejtë të ankohet në stacionin më të afërt policor.

“Në disa stacione policore qytetarëve u është thënë se nuk jemi kompetentë, duhet sipas vendbanimit, sipas vendit të regjistrimit e kështu me radhë… Kjo nuk është e saktë. Zyrtari policor është i detyruar, pa marrë parasysh nëse është në SP Gjevgjeli, Dellçevë, Berovë, Dibër, Shkup apo kudo tjetër. Kur qytetari vjen në stacion policor dhe sjell dokument, çfarëdo dokumenti, ta pranojë atë… Është i detyruar…”, deklaroi Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Toshkovski paralajmëroi se në të ardhmen sistemi do të përmirësohet dhe kamerat do të regjistrojnë parkim dhe ndalim të parregullt të automjeteve, diçka që ishte paraparë në fazën e parë, por ende nuk funksionon. Aktualisht Safe City regjistron shpejtësi të tepërt, kalim në dritë të kuqe dhe drejtim të automjetit pa regjistrim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu