Kaq është numri i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Gjermani

Gjermania vazhdon të mbetet një nga destinacionet kryesore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kërkojnë kushte më të mira jetese dhe pune. Sipas të dhënave më të fundit të Regjistrit Qendror të të Huajve (AZR), 161.044 shtetas të RMV-së jetojnë aktualisht në Gjermani, duke e renditur Maqedoninë e Veriut në vendin e 22-të ndër shtetet me numrin më të madh të diasporës në këtë vend.

Në një shtet ku jetojnë mbi 14 milionë të huaj, shtetasit e RMV-së renditen menjëherë pas Kinës (168.251) dhe Iranit (161.927), ndërsa janë përpara Vietnamit (150.972). Këto shifra konfirmojnë jo vetëm migrimin afatgjatë nga Maqedonia e Veriut, por edhe praninë e qëndrueshme të komunitetit maqedonas në tregun gjerman të punës dhe në jetën shoqërore.

Megjithatë, statistikat nuk përfshijnë qytetarët e RMV-së që kanë emigruar drejt Gjermanisë duke përdorur pasaporta bullgare, çka nënkupton se numri real i personave me origjinë nga Maqedonia e Veriut është dukshëm më i lartë.

Ballkani me prani të fortë në Gjermani

Vendet e Ballkanit tradicionalisht kanë pasur një prani të fuqishme në Gjermani, kryesisht si pjesë e migrimit të fuqisë punëtore. Shtetasit e RMV-së janë pjesë e kësaj vale së bashku me qytetarë nga Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Greqia.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i shtetasve nga vendet e rajonit që jetojnë në Gjermani është:

Kosova: 322.571

Serbia: 262.479

Bosnja dhe Hercegovina: 246.724

Hungaria: 212.994

Kroacia: 415.555

Bullgaria: 422.787

Greqia: 347.486

Maqedonia e Veriut: 161.044

Në krye të listës së përgjithshme të shteteve me më së shumti shtetas në Gjermani vazhdojnë të jenë Turqia (1.522.681), Ukraina (1.402.245) dhe Siria (940.401).

Të dhënat, me gjendje më 30 nëntor 2025, dëshmojnë se Gjermania mbetet qendra kryesore evropiane për diasporën nga Ballkani, ndërsa për Maqedoninë e Veriut migrimi vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha demografike dhe ekonomike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu