Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga përfaqësuesit e koalicionit qeveritar, Bilall Kasami, ka reaguar sot ndaj deklaratës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit për Marrëdhënie Ndërkomunitare, Ivan Stoilkoviq, i cili paralajmëroi shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, për mos përdorimin e gjuhës maqedonase para mediave, përcjell INA.
Kasami e ka quajtur këtë deklaratë të Stoilkoviqit të nxituar, duke theksuar se qeveria funksionon mbi parimet e marrëveshjes së koalicionit dhe bashkëpunimit mes partive:
“Mendoj se është një deklaratë e përshpejtuar dhe qeverisja jonë është e ndërtuar mbi një marrëveshje të bashkëqeverisjes midis koalicionit. Gjithmonë ka keqkuptime mes partnerëve të koalicionit, por besoj se kjo do të tejkalohet,” – u shpreh Kasami.
Përplasjet lidhur me respektimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe komunikimin institucional vazhdojnë të shkaktojnë debate të forta në opinion.(INA)