Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, vizitoi sot 13 vjeçaren që u lëndua duke ikur nga qentë endacakë. Pasi vizitoi familjen Selmani, Kasami tha se komuna ka angazhuar shoqatën “Amos pet” që pas një pauze disamujore të rifillojë me punë, pra largimin e qenve endacakë nga rruga.
“Ka dy tre ditë që kanë dalë në terren dhe ku është situata më kritike ata do të vazhdojnë me grumbullimin e qeneve dhe në momentin ku do të përfundojë kontrata me “Amos” ne do të vazhdojmë me projektin e radhës që të vazhdojmë dhe të ballafaqohemi si problem për qytetin e Tetovës.”– tha Kasami.
Sipas babait të vajzës së lënduar, profesorit Bashkim Selmani, komuna e Tetovës, qeveria por edhe ndërkombëtarët, duhet të marrin masa pasi po cenohen edhe të drejtat e fëmijëve.
“Ne kemi detyrim prindëror e qytetar, të ngrejmë procedura për Komunën, Qeverinë, denoncimin në OSBE, e cila monitoron sigurinë ndërkombëtare të fëmijëve dhe të rinjve bazuar në konventat ndërkombëtare. Po ashtu s’i qytetar kërkojmë edhe ndihmën ndërkombëtare, për këtë pasiguri të fëmijëve dhe nxënësve. Ndërsa organeve Komunale u propozojmë që të marrin dhe shqyrtojnë një veprim ndryshe siç ka qenë deri më tani dhe atë, Formimi i një komisioni qendror me karakter civil, ku mund të përfshihen, të gjitha kategoritë qytetare siç janë: Studentë të fakulteteve të veterinarisë, aktivistë të shoqatave të ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë e kësaj lëmie, nga një përfaqësues të lagjeve, të cilët mund të përcjellin apo evidentojnë lëvizjen e qenve endacakë dhe për të parapenguar ose zbuluar personat që sjellin qenë nga qytet tjera.”- tha Bashkim Selmani, Prind.
Ditë më parë, në orët e mbrëmjes, 13 vjeçarja e lëndoi syrin e majtë duke ikur nga qentë endacakë që ju vërsulën. Të dhënat e policisë tregojnë se vetëm në vitin 2023 në Tetovë nga qentë endacakë janë kafshuar 14 qytetarë, që do të thotë çdo katër ditë një qytetarë është sulmuar nga qentë.










