Sot në mesnatë përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për prokuror të ri publik të shtetit, ndërsa deri më tani janë paraqitur katër kandidatë, përcjell TV21. Nga Kuvendi nuk zbulojnë detaje për të gjitha emrat, por është konfirmuar dorëzimi i kandidaturave nga gjyqtari Nenad Saveski dhe prokurorja publike Lidia Raiçeviq. Mes të paraqiturve përmendet edhe ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, si dhe Mustafa Hajrullahi, ish-prokuror i lartë publik dhe avokat.
Prokurori i ri publik i shtetit duhet të ketë së paku 10 vjet përvojë pune. Secili nga kandidatët do të vlerësohet nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, i cili më pas do t’i dërgojë Qeverisë një listë me emra.
Qeveria do të zgjedhë një kandidat që do ta pasojë Lupço Kocevskin, i cili paraqiti dorëheqje të parevokueshme në të njëjtën ditë kur në Kuvend duhej të debatohej për shkarkimin e tij. Ai e ushtroi funksionin për më pak se dy vjet, pasi u zgjodh më 13 shkurt 2024.
Ndërkohë, ushtruese e detyrës së prokurores publike të shtetit është Anita Topolova Isajllovska.










