Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, ka deklaruar se skuadra e tij ka arritur pikën më të ulët, pas eliminimit të papritur nga Kupa e Mbretit nga Albacete të mërkurën në mbrëmje.
Dy herë ‘Los Blancos’ arritën të barazonin rezultatin, duke shënuar nga goditjet standarde, por pësuan golin e fitores në minutën e fundit të ndeshjes nga Jefte Betancour.
Pas ndeshjes, fjalën për mediat e mori Carvajal.
“Ne kemi arritur pikën më të ulët në mënyrë spektakolare. Duhet të përballemi me realitetin edhe kur humbasim, dhe pikërisht kjo është ajo që duhet të bëjmë tani. Ne, lojtarët, jemi përgjegjës në fund të fundit. Ka pak më shumë që mund të them”.
Kur u pyet se çfarë i mungoi Real Madridit në këtë ndeshje, Carvajal nuk dha një diagnozë të qartë.
“Nëse do e dija, nuk do kishim humbur. Nuk duhet të jesh gjeni për ta kuptuar këtë. Kemi arritur pikën më të ulët; u eliminuam nga një skuadër e kategorisë së dytë. Urime atyre”.
“Që nga nesër, është koha për vetëkritikë. Kemi dy gara fantastike dhe do të luftojmë për gjithçka”.
“Mesazhi është… se skuadra nuk është në nivelin e saj më të mirë, padyshim; duhet të punojmë shumë dhe të japim shumë më tepër. Kjo është realiteti. Dhe ky është mesazhi. Luftojmë për gjithçka”.
“Ne kërkojmë falje tifozëve. As ne, përfshirë edhe mua, nuk po përmbushim pritshmëritë e këtij klubi dhe do të japim gjithçka në muajt e ardhshëm për ta kthyer situatën”, ka deklaruar ai./Telegrafi/










