Me rastin e hapjes së ndeshjes sportive tashmë tradicionale Bulls–Indiana Pacers në Çikago, grupet artistike me një program të pasur kulturor të traditës së këngëve dhe valleve shqiptare krijuan një atmosferë të këndshme për sportdashësit amerikanë. Kjo paraqitje është hera e parë në historinë e klubit të njohur Bulls që, përmes tipareve të kulturës dhe traditës shekullore të popullit shqiptar, i jep pamje dhe shije artistike United Center-it, duke dëshmuar se arti dhe sporti dinë të bashkojnë njerëzit në Amerikë dhe në botë.
Në kalendarin e veprimtarisë kombëtare të KSHA-së është vënë në spikamë kjo ngjarje për afirmimin e vlerave të kulturës dhe traditës së këngëve dhe valleve popullore shqiptare, thotë me entuziazëm, në frymën e brezave të rinj në Çikago, kryetari i KSHA-së, Edon Shaqiri. Para publikut sportdashës amerikan, koreografi me përmasa ndërkombëtare Altin Naska kishte përgatitur për mbrëmjen sportive të klubit Bulls një program në sallën e ngjyrosur kuqezi, me tipare të traditës së këngëve dhe valleve shqiptare nga trevat etnike, ku tingujt dhe vokali i këngëve u duartrokitën gjatë nga të pranishmit në NBA në Çikago.
Programit të mbrëmjes sportive i dhanë shije artistike grupet me kostume tradicionale shqiptare: “Shqiponjat”, grupi “Arbëria”, nxënësit e shkollës shqipe “Kongresi i Manastirit” dhe “Gurra Foundation” në Çikago dhe Wisconsin. Një pamje vizuale e veçantë në këtë mbrëmje sportive ishte logoja “Benny the Bull” me plisin shqiptar, e realizuar nga “Print Studio” nën drejtimin e Joka Siko.
Tingujt e këngëve dhe valleve u realizuan me vokalin e Camilla Nometit, ndërsa Olti Vata me tingujt e akorduar të çiftelisë dhe Ilir e Adem Hasani me tupanin e pasuruan atmosferën artistike në sallën sportive të NBA-së në Çikago. Në këtë program të mbrëmjes sportive mori pjesë edhe shefi i misionit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Iowa, Drilon Zogaj, i cili dha përkrahjen e tij për afirmimin e vlerave kulturore shqiptare te populli mik amerikan./INA/ Shkruan: Skënder Karaçica/Çikago /










