I deleguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, të enjten mbrëma ka demantuar deklaratën e zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën thuhej se ai është marrë vesh në një bisedë telefonike me Grenellin që ndihma nga SHBA-ja nuk do të ndalet dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë. Por, mëngjesin e së premtes Kurtit në krah i ka dalë këshilltari i tij politik, Erzen Vraniqi.
Ai ka thënë se deklarimet e përfaqësuesit special për dialogun, Richard Grenell, ngjajnë më të ashpra në rrjetin social Twitter sesa në bisedat telefonike mes tij dhe kryeministrit Kurti.
“Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se tweet-at e Ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysëm-masë. Por kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e më të dobishme për Kosovën me propozimin e tij”, ka deklaruar Vraniqi.
Sipas tij, komunikimet e Ambasadorit Grenell përmes rrjetit social Twitter janë duke u keqpërdorur për interesa të brendshme politike.“Në anën tjetër, këtu më shumë po keqpërdoret Ambasadori Grenell për luftën e brendshme politike në Kosovë nga ata që i humbën zgjedhjet dhe tash u janë cenuar interesat nga vendimet e Qeverisë, sidomos nga shkarkimet e bordeve të korruptuara të disa ndërmarrjeve publike”, është shprehur Vraniqi.
E i dërguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë të martën se ia ka bërë të qartë kryeministrit Kurti se ShBA-ja nuk do të investojë financiarisht në Kosovë “nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet”.
“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Ksoovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në Twitter.










