Mandati i dytë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po formësohet nga ambiciet e tij në politikën e jashtme. Pas operacionit të bujshëm gjatë natës në Karakas, ku u kap presidenti i Venezuelës së bashku me bashkëshorten e tij, vëmendja është zhvendosur te vendet e tjera që mund të jenë objekt i veprimeve apo presionit amerikan.
Sipas një analize të BBC, Trump ka lëshuar paralajmërime të drejtpërdrejta ndaj disa shteteve në ditët e fundit.
Groenlanda
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë, por Trump ka shprehur hapur dëshirën për të marrë kontrollin e gjithë ishullit, duke e konsideruar atë jetik për sigurinë kombëtare amerikane. Ai ka argumentuar se rajoni është strategjik për shkak të pranisë ruse dhe kineze, si dhe për rezervat e mëdha të mineraleve të rralla, thelbësore për teknologjinë dhe industrinë ushtarake.
Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, e ka hedhur poshtë këtë ide, duke e quajtur “fantazi aneksimi” dhe duke theksuar se çdo dialog duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
Kolumbia
Vetëm disa orë pas ndërhyrjes në Venezuelë, Trump paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro. Kolumbia, një aleate tradicionale e SHBA-së në luftën kundër drogës, është një prodhues i rëndësishëm nafte dhe mineralesh, por edhe një pikë kyçe e trafikut të kokainës.
Trump ka akuzuar qeverinë kolumbiane për tolerim të karteleve të drogës dhe ka lënë të hapur mundësinë e një operacioni amerikan, duke thelluar tensionet mes dy vendeve.
Irani
Irani është gjithashtu në fokus, mes protestave masive antiqeveritare. Trump paralajmëroi se SHBA-të do të reagojnë ashpër nëse autoritetet iraniane vazhdojnë represionin ndaj protestuesve. Kërcënimet vijnë në vazhdën e sulmeve të mëparshme amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe tensioneve të forta me Izraelin.
Meksika
Marrëdhëniet me Meksikën mbeten të tensionuara për shkak të emigracionit dhe trafikut të drogës. Trump ka deklaruar se kartelet meksikane janë “shumë të forta” dhe se SHBA-të “do të duhet të bëjnë diçka”. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka përjashtuar çdo ndërhyrje ushtarake amerikane në territorin e vendit të saj.
Kuba
Kuba, prej dekadash nën sanksione amerikane, shihet nga Trump si një regjim në rënie. Ai ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake nuk është e nevojshme, duke argumentuar se vendi po përballet me vështirësi të rënda ekonomike, veçanërisht pas dobësimit të mbështetjes nga Venezuela.










