Shumë pjesëtarë të shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se skepticizmi i disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si Franca e Holanda, po vazhdon të jetë pengesë sa u përket futjes në agjendë të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Drejtoresha e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbresha Loxha, ka thënë për REL se Kosova tashmë i ka përmbushur kushtet e kërkuara për liberalizim dhe se metodologjia e re e Komisionit Evropian e vendosur më 5 shkurt 2020, nuk mund të ndikojë në këtë proces.
“Kosova sipas Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, në të kaluarën është konsideruar se i ka përmbushur të gjitha kriteret, përkundër faktit që nevojitet të bëhet ende punë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos atij të profilit të lartë. Por, mbetet që të binden vendet skeptike, të cilat kanë penguar deri më tash liberalizimin e vizave, në mënyrë që liberalizimi i vizave të ndodh”, thotë Loxha.
Ndërsa, Visar Xhambazi nga Instituti Demokracia për Zhvillim shprehet se procesi i liberalizimit të vizave është i ndarë dhe pritet vetëm konfirmimi i vendeve anëtare që të procedohet tutje.
“Ky proces, pak a shumë është i mbyllur, pritet vetëm konfirmimi i vendeve anëtare dhe të procedohet tutje, sepse sipas Komisionit Evropian, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kjo normalisht nuk do të ketë kurrfarë ndikimi”, thotë Xhambazi.
Sa i përket kohës se kur pritet të ndodhë liberalizimi, Arbresha Loxha tregon se nuk pret që të ndodhë në gjysmën e parë të këtij viti, duke thënë se beson që ky liberalizim do të ndodhë në presidencën e gjermanëve, të cilët e marrin pas qershorit.










