‘Koalicioni i shpresës’ dhe pazaret në ‘vilën e Prapashticës’: A do të arrihet koalicioni mes Kurtit e Mustafës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ditë më parë janë takuar fshehurazi në Prapashticë, në vilën luksoze të Isa Mustafës, por ende nuk është deklaruar asgjë nga asnjëra palë se a do të ketë ‘koalicion të shpresës’.

Që pas përfundimit të zgjedhjeve më 4 tetor, qytetarët dhe vetë anëtaret e partive që dolën fituese, bashkimi i tyre u quajt si ‘koalicion i shpresës’.

Kanë kaluar plotë 112 ditë që nga përfundimi i zgjedhjeve, ndërsa koalicioni i shumë pritur, ndryshe i quajtur ‘koalicioni i shpresës’ nuk po duket gjëkundi.

Pas plot 9 takimeve kokë me kokë në mes të liderëve të dy subjekteve fituese, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nuk kishin arritur që të pajtohen rreth ndarjes se pushteteve, rrjedhimisht ‘koalicioni i shpresës’, po shkonte drejt dështimit.

Nga burime të sigurta u raportua dy ditë me herët se në shtëpinë e Isa Mustafës janë mbledhur dy subjektet politike, bashkë me krerët e tyre, Mustafën dhe Kurtin, duke negociuar për një marrëveshje përfundimtare, si përpjekje e fundit e tyre.

Nuk dihet nëse LDK-ja është dorëzuar përballë presionit publik të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka bërë përpjekje që ta dominoi tërë debatin rreth negociatave të tyre.

Vetëvendosje është deklaruar vazhdimisht që Glauk Konjufca nuk do të tërhiqet assesi, pasi aty ka ardhur me vullnetin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Ndërsa sot ka përfunduar ultimatum që lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i kishte dhënë Albin Kurtit dhe partisë së tij që deri në fundjavë të deklarohen rreth ofertës së tyre, ose të mohojnë një marrëveshje të mundshme.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve, kanë kaluar 112 ditë, e gjatë këtyre ditëve ka pasur me dhjetëra takime në mes të LDK-së dhe VV-së por pa ndonjë rezultat konkret. Dy liderët e këtyre partive nuk kanë arritur të krijonin një koalicion për arsye të ndarjes së pushtetit.

Ndërsa sot, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është deklaruar se ka pasur përveç takime publike edhe jo publike, duke pranuar se takimi në Vilen e Mustafës ka ndodhur.

“Mund t’ju konfirmoj se takime të rregullta ka pasur. Por shumica e madhe e takimeve kanë qenë publike. Ka pasë takime edhe takime jopublike dhe komunikim në përpjekje për ta finalizuar marrëveshjen e koalicionit të pritur LDK-VV. Kjo është fakt dhe përpjekjet janë angazhim i përbashkët i dy liderëve dhe i ekipeve, sepse formati i takimeve ka qenë në takime ekipore, të mbështetura nga tre apo katër anëtarë të mandatuar të strukturave të partive për ta lehtësuar marrëveshjen”, është shprehur Haziri.

Haziri gjithashtu ka thënë se LDK-ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët, më këtë ai ka aluduar në VV. Kjo tregon se LDK-ja nuk do të lëshoj pe karshi presionit nga partia e Kurtit.

“Por nuk do të lejojmë që LDK’në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK-ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët“, ka shtuar Haziri.

Kujtojmë se oferta e fundit e LDK-së ndaj VV-së ishte që t’i takon pozita e Kryeparlamentarit deri më 2021, pozita e Presidentit dhe 5 ministri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu