Kolarov, serbi që u rrit mes bombave: “U lumturova kur plasi lufta!”

Trauma e luftës, pafajësia e një djaloshi vetëm 6-vjeçar dhe një ëndërr e bërë realitet falë kurajos dhe vendosmërisë. Mund duket si skenari i një filmi me fund të lumtur, porn ë të vërtetë është historia e jetës së Alexandar Kolarov, e treguar nga vetë mbrojtësi që ëndërron të dërgojë sa më lart Serbinë e tij, aktualisht prezente në Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, për të dytën herë pas debutimit historik në 2010. Kundër Brazilit, Kolarov me shokë kanë mundësinë që të arrijnë për të parën herë në raundin e 1/8 të finales dhe në një moment kaq special, mbrojtësi i Romës është rikthyer në kujtime, për të rrëfyer shënjimin e jetës së tij nga lufta që tronditi ish-Jugosllavinë.

“Ekziston një zhurmë që vazhdon të dëgjohet në veshët e mi. Nëse mbyll sytë vazhdoj ta dëgjoj. Është diçka e tmerrshme. Unë dhe miqtë e mi dëgjonim shpërthimet, braktisnim biçikletat dhe nisnim të vraponim drejt shtëpisë, me zemrën që dukej sikur do të shpërthente, njëlloj si bombat përreth nesh. Ndërkohë që vraponim, pamë në qiell një avion mes flakëve që po rrëzohej”, kujton mbrojtësi serb.

“Të mendosh që kur nisi lufta isha i lumtur, sepse nuk e dija se çfarë po ndodhte. Pë mua nënkuptonte vetëm që nuk do të shkoja në shkollë dhe mund të kaloja kohën duke luajtur me top, bashkë me shokët. U desh shpërthimi i bombës së parë që unë të kuptoja vërtetë se çfarë po ndodhte, në çfarë ferri po jetonim. Po qëndroja para televizorit me vëllain tim dhe mamanë. U ndërprenë trasmetimet trasmetimet dhe u njoftua se Beogradi ishte bombarduar”, tregoi Kolarov për “Players Tribune”, duke kujtuar fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në Beograd.

“Kujtoj se nuk dolëm nga shtëpia për disa ditë, duke tentuar më kot që të flinim mes zhurmës së shpërthimeve. Nuk munda më të dilja në rrugë të luaja me shokët. Luaja me vëllain tim në shtëpi ndërkohë që bombat shpërthenin duke dridhur muret. Pavarësisht të gjithave, unë vazhdoja të ëndërroja të bëhesha si Mihajlovic. Kujtimi për Kupën e Kampioneve të fituar nga Ylli i Kuq në 1991 mu ngulit në mëndje dhe nga ajo ditë u shndërrua në legjendën time”, vijoi Kolarov.

“Pavarësisht transferimit tim te Lazio në 2007, ndjeja ende se duhej të realizoja akoma dy misione: të luaja me kombëtaren serbe dhe të transferohesha në Premier League, premtime që ia kisha bërë mamasë time që nga koha e luftës. Prandaj kur Manchester City u interesua për mua, ishte sikur të kisha prekur qiellin me një gisht. Hapi i ardhshëm është që të dërgoj në parajsë përfaqësuesen serbe, motive kryesor i krenarisë. Prandaj do të vazhdoj të jap gjithçka”, tregoi Kolarov.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu