“Komploton” Chelsea, synon t’i marrë Barçës nënkampionin e botës

Chelsea po “komploton” pas kuintave, sepse synon një goditje verore të bujshme në merkato. Fjala është për mesfushorin e Barcelonës, Ivan Rakitic, sipas asaj që bën me dije sot katalanasja “Sport”.

Ndërkombëtari kroat po përballet me konkurrencë të ashpër për një vend titullari në “Camp Nou”, ndaj pret t’i ngushtohen hapësirat e aktivizimit pasi Frenkie de Jong të bashkohet me të te Blaugrana-t, në fund të sezonit.

Klubi nga “Stamford Bridge” shpreson se një ofertë e mirë për futbollistin do ta bindë 30-vjeçarin të transferohet në në Premier League. Në fakt, nëse ka një lojtar pothuajse thelbësor për trajnerin Valverde, përveç Messit, ai është Ivan Rakitic.

Kroati luan gjithçka me Barçën dhe është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato. Kampionët e La Liga-s në fuqi kanë marrë një ofertë kolosale nga PSG-ja verën e kaluar, por Ernesto Valverde e ka bindur atë të qëndrojë. Tani, Chelsea është i interesuar për nënkampionin e botës, duke bërë plane për merkaton e verës së ardhshme, me bindjen se Rakitic mund të largohet nga Barça në qershor.

Nënshkrimi i De Jong dhe ardhja e mundshme e Rabiot do ta bënte mesfushën katalanase shumë të populluar dhe kjo nuk ka shkuar pa u vënë re nga kroati. Pa dyshim, shitja e Rakiticit mund të gjenerojë edhe shumë miliona, nëse të gjitha palët bien dakord.

Klubi Blaugrana është i vetëdijshëm se Rakitic dëshirohet nga blutë e Londrës dhe po pret oferta këtë verë. Natyrisht, nuk mund të flitet për oferta aq astronomike sa ajo e PSG-së, verën e kaluar, por mjaft të rëndësishme për t’i studiuar ato. Përveç Chelsea, Manchester United dhe Arsenal e kanë lojtarin në listën e dëshirave për në qershor.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu