Komunat në Maqedoni nga dita e sotme janë pa kryetar dhe qeveri komunale, për shkak të skadimit të mandatit të tyre.
Ata nuk kanë të drejtën e firmosjes së vendimeve dhe se kjo situatë ka bërë që të bllokohet funksionimi normal i qeverisjes komunale. Kjo situatë u krijua për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve lokale, për shkak të krizës politike, informon INA.
Dje pas përfundimit të takimit të këshillit drejtues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale ku morën pjesë njerëzit e parë të vetëqeverisjes lokale, u vendos që ata edhe më tej të mbeten në funksionet e tyre, por pa mandat për të nënshkruar. Sipas tyre, koj është zgjidhja më e mirë që komunat dhe ndërmarrjet publike të mos bllokohen tërësisht.
“Presim dhe kërkojmë që ligjet të kalojnë sa më parë, të shpallen zgjedhjet dhe me këtë të debllokohet funksionimi i vetëqeverisjes lokale. Të gjitha dokumentet që i nënshkruajnë kryetarët e komunave, më nuk do të kenë të drejtë t’i nënshkruajnë”, tha Trajanovski.
Përndryshe, më 10 maj, Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht të mos zhvillojë procedurë për vlerësimin e iniciativave për heqjen e dy neneve të ligjit për vetëqeverisje lokale dhe të Kodit Zgjedhor, me çka kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë do t’u lejohej të mbeteshin në funksionet e tyre deri në zgjedhjet e ardhshme lokale.