Komuniteti global po synon të rrisë përpjekjet për të ndihmuar palestinezët në Gazë

Kushtet në Gazë po vazhdojnë të përkeqësohen, ndaj komuniteti global po synon të rrisë përpjekjet e ndihmës, me një anije evropiane të ndihmës që po përgatitet të niset nga Qiproja e mbushur me furnizime për banorët e enklavës të goditur nga lufta.

Komisioni Evropian tha ditën e sotme se një korridor detar nga Qiproja për në Gazë mund të nisë operimin gjatë kësaj fundjave. Ky korridor është pjesë e një pilot-projekti që udhëhiqet nga organizata bamirëse World Central Kitchen, me seli në Shtetet e Bashkuara dhe që financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Qiproja, që është shteti i Bashkimit Evropian që gjendet më afër me Gazën, është afër 15 orë lundrim nga enklava palestineze.

Izraeli tha më 8 mars se mirëpret korridorin detar, por shtoi se duhet të ketë kontrolle të sigurisë.

Nisma qipriote do të mundësojë rritjen e ndihmës humanitare për në Rripin e Gazës, pas një kontrolli të sigurisë, sipas standardeve të Izraelit”, tha Lior Haiat, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme izraelite përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Ndërkaq, shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, tha se është optimist që disa donatorë do të rinisin financimin e agjencisë pas disa javësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu