Kongresmeni amerikan paraqet projektligjin që e bën Groenlandën shtetin e 51-të të SHBA

Randy Fine, një republikan nga Florida, paraqiti një projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve të hënën që do të autorizonte Presidentin Donald Trump të blejë Groenlandën dhe ta bëjë atë shtetin e 51-të të SHBA-së.

Ai argumenton se sovraniteti i SHBA-së do t’u sillte dobi banorëve të Groenlandës, duke pasur parasysh “pamundësinë e Danimarkës për të mbrojtur ishullin”.

Akti i Aneksimit dhe Shtetësisë së Grenlandës, argumenton ai, “përqendrohet në sigurimin e interesave strategjike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Arktik dhe në adresimin e kërcënimeve në rritje që vijnë nga Kina dhe Rusia”.

Ai e sheh Grenlandën “jo si një avanpost të largët që mund ta injorojmë, por si një aset jetësor të sigurisë kombëtare”.

Ai shton se “kushdo që kontrollon Grenlandën, kontrollon korridoret kryesore të transportit detar të Arktikut dhe arkitekturën e sigurisë që mbron Shtetet e Bashkuara. Amerika nuk mund ta lërë atë të ardhme në duart e regjimeve që përçmojnë vlerat tona dhe kërkojnë të minojnë sigurinë tonë”.

“Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio e kanë bërë të qartë se Arktiku po shndërrohet me shpejtësi në një arenë të madhe të konkurrencës globale të fuqisë. Armiqtë tanë janë aktualisht në një pozicion të vështirë, pasi sapo kanë neutralizuar një nga aleatët e tyre kryesorë, Nicolas Maduro, në Venezuelë.

Kina dhe Rusia vazhdojnë të zgjerojnë në mënyrë agresive praninë e tyre në rajon, ndërsa vitet e politikave të dobëta nën Joe Biden kanë lejuar që pozicioni strategjik i Amerikës të përkeqësohet. Rivendosja e fuqisë amerikane kërkon veprime vendimtare”, thekson ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu