Konjufca i kundërpërgjigjet Gjuriqit në OKB: Kosova është shtet sovran, nuk lejojmë paralelizma

Zëvëndëskryeministri i Kosovës Glauk Konjufca iu kundërpërgjigj ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Marko Gjuriq në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dje, i cili tha se Ligji për të Huajt ka shkaktuar shqetësime të mëdha për serbët në Kosovë.

Zëvëndëskryeministri Konjufca tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës janë në pajtim me përgjegjësitë e një shteti sovran për të mbikëqyrur popullatën e vet, në përputhje me standardet evropiane për sigurinë kombëtare, migrimin e ligjshëm dhe punën në kuadër të këtyre ligjeve.

“Nuk mund të kemi standarde të dyfishta. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe ka përgjegjësi për qytetarët e vet dhe kundrejt organeve të Bashkimit Evropian apo organizatave të tjera ku jemi anëtarë apo aspirojmë të hyjmë. Bëhet dallimi i qartë midis shtetasve dhe të huajve. Asnjë shtet i OKB-së, edhe ata në Këshillin e Sigurimit, nuk lejojnë të huaj që të mbeten aty pa leje. Një kthim i tyre ndodh edhe nga ana e Serbisë sa i përket qëndrimit zyrtar, duke i zhveshur nga adresat e regjistruara në Luginën e Preshevës dhe nga e drejta e tyre e votës”, tha Konjufca.

Ai tha se Ligji ynë për të Huajt ka synim të përmirësojë shërbimet publike për qytetarët në Kosovë.

“Ligji i Kosovës për të Huajt nuk është diskriminues, është ligj me standarde evropiane, por ne nuk lejojmë paralelizma, sepse kjo është në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe rendin uniform kushtetues. Ky ligj përfaqëson obligimin që Kosova ka marrë përsipër sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe këtu i referohem Nenit 86 për migrimin e ligjshëm, që i kërkon Kosovës ta përafrojë ligjin me atë të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu