Konkurs për punësime në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me paga që nisin nga 500 deri 1000 euro

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të punësojë gjithsej 33 persona të rinj. Në Agjencinë për Administratë janë publikuar shpalljet ku kërkohen kandidatë të interesuar për punë në institucionin më të lartë shtetëror.

Kushtet për punësim janë pothuajse të njëjta për të gjitha pozitat: kandidatët duhet të jenë shtetas të Maqedonisë, të përdorin në mënyrë aktive gjuhën maqedonase, të jenë të rritur, të jenë të aftë shëndetësisht dhe të mos kenë ndalesë gjyqësore për ushtrim profesioni.

Përveç këtyre kërkohen edhe: njohuri aktive të programeve kompjuterike për punë zyre, provim i mbaruar për administratë, njohje aktive e gjuhës angleze, frënge ose gjermane, si dhe provim i dhënë juridik.

Kërkohet që kandidatët të kenë arsim të lartë, por pozitat e ndryshme kanë edhe kushte specifike shtesë.

Ajo që bie në sy është se pagat për pozitat e shpallura lëvizin nga 32 mijë deri në 53 mijë denarë.

Ndër pozitat që duhet të plotësohen është Bashkëpunëtor për informim të opinionit në gjuhën shqipe, për të cilin kërkohet fakultet në fushën e Shkencave Shoqërore – Juridik, Shkenca Politike ose Media dhe Komunikim, si dhe të paktën një vit përvojë pune në profesion. Për këtë pozitë paga arrin në 40.707 denarë. Paga e ngjashme parashikohet edhe për përkthyes nga maqedonishtja në shqip dhe anasjelltas.

Kërkohen gjithashtu edhe disa bashkëpunëtorë të rinj: një për sektorin e burimeve njerëzore, një për redaktim të materialeve gjuhësore dhe një për punë zyre e arkive. Për këto tre pozita paga është 37.758 denarë, ndërsa kërkesat janë të njëjta me pozitat e tjera.

Pozitat me paga më të larta përfshijnë: Këshilltar në Komitetin për Marrëdhënie Ndëretnike, Këshilltar për interpretim nga maqedonishtja në shqip, si dhe këshilltar – hulumtues i ekonomisë së tregut. Për këto pozita paga arrin deri në 47.303 denarë.

Paga më e lartë ofrohet për pozitën Udhëheqës i sektorit për shumëfishim dhe kompletim materialesh – 53.434 denarë, si dhe për udhëheqësin e sektorit të dokumentacionit. Kërkohet edhe udhëheqës i sektorit për mbështetjen e punës së kryetarit të kuvendit, i cili po ashtu do të ketë pagë mbi 53 mijë denarë.

Në anën tjetër, paga më e ulët ofrohet për pozitën Referent i ri për bashkëpunim multilateral, me pagë 32.404 denarë, ndërsa sekretari teknik do të marrë pak më shumë – 32.714 denarë.

Disa nga shpalljet skadojnë në ditët në vijim – konkretisht më 13 dhjetor, ndërsa pjesa tjetër më 15, 16, 17 dhe deri më 20 dhjetor.
Të gjitha detajet mund të gjenden në faqen e Agjencisë për Administratë. /INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu