Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi, vendimtare në formimin e qeverisë së kryesuar nga Avdullah Hoti, dhe ka urdhëruar presidentin e vendit, konkretisht ushtruesen e detyrës Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në afat prej 40 ditësh. Sipas dokomentit i cili është bërë publik, vendimi i Kushtetueses ka qenë unanim nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Kushtetuesja ka konstatuar se në bazë të Kushtetutës, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit, siç është rasti me Etem Arifin, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Rrjedhimisht, një gjë e tillë ka bërë që nga shumica minimale (61 vota) për votimin e Qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hotin në qershor të këtij viti, vota e deputetit Arifi të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese, duke pamundësuar funksionimin e kësaj qeverie.
“Marrë parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre“, thuhet në konstatimin e Kushtetueses.
Siç njofton kjo gjykatë, aktgjykimi nuk do të ketë efekt prapaveprues dhe vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Parlamenti i Kosovës me 3 qershor të këtij viti votoi për qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin nga LDK me 61 vota pro (ku pjesë e votimit ishte edhe Etem Arifi), 24 kundër dhe një abstenim.
Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të deputetit Etem Arifi” në seancën për votimin e qeverisë Hoti.
“Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, kishte shkruar Vetëvendosje në kërkesën drejtuar Kushtetueses, ku sipas kësaj partie, “pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për qeverinë Hoti e bënë jolegjitime Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti”.
Deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim (PAI) derisa ka votuar pro themelimit të Qeverisë së re me kryeministër Hotin, ka qenë i shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit për veprën penale të mashtrimit me subvencione me 1 vit e 3 muaj burgim efektiv, por vuajtja e dënimit i ishte shtyrë për disa muaj.









