Në ditët e fundit, ka pasur gjithnjë e më shumë spekulime rreth një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake të Amerikës në Iran. Edhe pse presidenti i atij vendi, Donald Trump, fillimisht u tha protestuesve se “ndihma po vjen” dhe burimet i thanë Reuters se sulmi do të vinte “brenda 24 orëve të ardhshme”, duket se udhëheqësi amerikan ka zgjedhur përmbajtjen, të paktën për momentin. Megjithatë, Irani thotë se është në gatishmërinë më të lartë luftarake dhe kërcënon të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme. Kush do të ishte më i fortë në këtë përplasje: Amerika apo Irani?
Fuqia ushtarake
Amerika ka deri tani buxhetin më të madh ushtarak në botë, që tejkalon 800 miliardë dollarë në vit, që është më shumë se buxhetet e kombinuara të dhjetë vendeve të tjera në listë. Irani, nga ana tjetër, ka në dispozicion rreth 30-40 miliardë dollarë, me këtë shumë të rënduar shtesë nga sanksionet ndërkombëtare, aksesi i kufizuar në teknologji dhe tregjet financiare. Ky ndryshim reflektohet drejtpërdrejt në nivelin e pajisjeve, stërvitjes, logjistikës dhe aftësinë për të zhvilluar një luftë afatgjatë. Ushtria amerikane ka teknologjinë ushtarake më të përparuar në botë, me aeroplanë luftarakë të gjeneratës së pestë (F-22, F-35), sistemin global të satelitëve dhe inteligjencës, armë të drejtuara me saktësi të lartë dhe aftësi të forta kibernetike dhe hapësinore.
Dallimet
Irani mbështetet në një përzierje të teknologjisë perëndimore të vjetër para vitit 1979, prodhimit rus dhe industrisë vendase, ndërsa forcat e tij ajrore dhe detare nuk mund të krahasohen me ato amerikane në një përplasje konvencionale të drejtpërdrejtë. Ndryshimi kryesor qëndron te doktrina ushtarake: SHBA-të veprojnë si fuqi globale me rrjet bazash dhe kapacitet për operacione të shumëfishta, ndërsa Irani fokusohet në luftë asimetrike, parandalim dhe ndikim rajonal, duke u mbështetur në raketa balistike dhe lundruese, dronë, sulme detare me mjete të shpejta, operacione kibernetike dhe mbështetje për grupet aleate si Hezbollahu, milicitë shiite në Irak dhe Huthët në Jemen.
Përparësia e armëve bërthamore
Edhe pse Irani nuk zotëron armë bërthamore, arsenali i tij raketor përbën një pengesë kyçe, pasi mund të godasë bazat dhe aleatët amerikanë në Lindjen e Mesme, duke e bërë çdo konflikt shumë të rrezikshëm dhe politikisht të kushtueshëm për SHBA-të. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin të shkatërrojnë shpejt mbrojtjen ajrore iraniane, të neutralizojnë objektet ushtarake dhe të paralizojnë komandën dhe komunikimin, duke qenë një fuqi bërthamore me triadë të plotë. Irani zyrtarisht nuk ka armë bërthamore, por përpjekjet e dyshuara për pasurim uraniumi e kanë vënë nën presion të vazhdueshëm nga SHBA-të dhe Izraeli, ndaj Teherani mbështetet në parandalim dhe shmangie të konfrontimit të drejtpërdrejtë, ndërsa Uashingtoni synon të ruajë dominimin ushtarak pa hyrë në një luftë të gjatë tokësore.
Asi nën mëngë
Ajo që Irani ka në mëngë të fshehtë është aftësia për të synuar bazat ushtarake amerikane në rajon. Bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme që potencialisht mund të jenë në shënjestër të Iranit përfshijnë Al Udeid në Katar, qendrën kryesore të komandës dhe operacioneve ajrore të SHBA-së dhe selinë e CENTCOM-it; Kampin Arifjan dhe Bazën Ajrore Ali al Salem në Kuvajt, të rëndësishme për logjistikën, inteligjencën dhe operacionet ajrore; bazën detare në Bahrein, seli e Flotës së Pestë të SHBA-së; Bazën Ajrore të Princit Sultan në Arabinë Saudite dhe Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe, që strehojnë avionë luftarakë dhe sisteme mbrojtëse; si edhe bazat Ain al-Assad dhe Erbil në Irak, objektiva të mëparshëm sulmesh, praninë ushtarake amerikane në Al-Hasakah dhe Deir ez-Zor në Siri, si dhe Bazën Ajrore Muwafaq Salti dhe qendrat e trajnimit në Jordani, të përdorura për operacione në Siri dhe Irak./Marsela SHYTIA/










