Njohësi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi po thotë se mbajtja e seancës për votimin e Qeverisë Hoti, mund të mbahet atëherë kur del publikimi i plotë i aktgjykimit të Kushtetueses dhe publikohet në gazetën zyrtare.
“Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të gjitha aktgjykimet, vendimet e Gjykatës duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare dhe hynë në fuqi nga ai moment…në interpretimin tim duhet të pritet publikimi i plotë i aktgjykimit dhe publikimi i saj në Gazetën Zyrtare në mënyrë që pastaj dekreti i presidentit të hyjë në fuqi dhe të votohet qeveria e re në kuvend”, u shpreh Krasniqi.
Në lidhje me vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, Krasniqi thotë se ai ka qenë i mirëpritur dhe profesional. Sipas tij, Kushtetuesja vetëm e ka bërë interpretimin e Kushtetutës dhe nuk ka vendosur norma të reja kushtetuese.
“Gjykata ka bërë vetëm interpretimin e Kushtetutës. Është bazuar në normat e saj, frymën e Kushtetutës dhe praktikën kushtetuese të gjykatës në rastet që i gjykuar më herët. Në bazë të këtyre ka ardhur në ato përfundime që i pamë mbrëmë. Kështu që nuk ka të bëjë në asnjë moment me plotësim të Kushtetutës, apo gjykata ka marrë rolin e deputetëve dhe ka amendamentu atë”, thotë ai.










