Reperi shqiptar Noizy është ndaluar nga autoritetet zvicerane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Zyrihut.
Sipas mediave vendase, ndalimi është kryer nga policia e shtetit zviceran me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme, ndërsa ende nuk janë bërë publike akuzat konkrete ndaj tij.
Noizy ndodhej në Zvicër me qëllimin për të performuar në një klub nate në Zurich, por koncerti nuk u mbajt.
Klubi në fjalë ka fshirë nga rrjetet sociale të gjitha njoftimet për koncertin, çka ka shtuar dyshimet mbi ndërprerjen e papritur të ngjarjes.
Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar, reperi u arrestua edhe në Shqipëri, pasi ishte në kërkim nga Policia e Kosovës për përfshirje në një përleshje në një diskotekë në Pejë.
Pas disa ditësh në paraburgim, ai u la i lirë kundrejt një garancie pasurore, ndërsa në nëntor 2024, u dënua me një gjobë prej 15 mijë eurosh. Në të njëjtën ngjarje u përfshi edhe reperi tjetër, Stresi, i cili gjithashtu u ndëshkua me një gjobë administrative.