Ish-kryetari i gjyqtarëve të misionit EULEX Malcolm Simmons, ka thënë se i ka dërguara para disa javësh një deklaratë kryeministrit, Albin Kurti, por që ky i fundit nuk i është përgjigjur ende dhe nuk ka bërë asnjë reagim lidhur më këtë.
Simmons, ka shkruar në Twitter se i ka dërguar Kurtit një letër dhe deklaratë para disa javësh por që ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai.
“Z. Kurti e ka pranuar letrën dhe deklaratën time para disa javësh. Ka pasur shumë komente nga mediat në Kosovë, por asnjë fjalë nga Z. Kurti. Koha do ta tregojë”, ka shkruar Simmons.
Duhet theksuar se lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri Kurti, ka qenë mjaftë kritik ndaj EULEX’it në të kaluarën, ndërsa kishte thënë se ky mision po vepronte në përputhje me interesat e Serbisë.
“EULEX’i ka mbajtur Kosovën jashtë Bashkimit Europian ndërsa ka afruar Serbinë në BE”, deklaronte Kurti.
Gjithashtu si lideri i opozitës, Kurti thoshte se EULEX-i është dashur t’i arrestoj strukturat paralele të Serbisë që operojnë në veri dhe politikanët kosovarë që kanë zhvatur vendin.
“Në njërën anë EULEX-i është dashur t’i arrestoj politikanët kosovarë që kanë vjedhë e zhvatë që nga paslufta. EULEX-i është dashur t’i arrestoj strukturat paralele të Serbisë që operojnë në veri”, shprehej Kurti.
Duhet theksuar se ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons i ishte drejtuar edhe më herët me anë të një shkrese Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që Komisioni Parlamentar për Legjislacion të dëgjojë deklarimet e tij lidhur me pretendimet për parregullsitë në funksionimin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Vitin e kaluar, ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX’it, Malcolm Simmons kishte deklaruar se ky mision në disa raste nuk i ka zbatuar parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë.
Për këto pretendime të tij, ai kishte kërkuar të flasë para deputetëve të Kuvendit Kosovës, për çka Komisioni për Legjislacion kishte caktuar 18 janarin e këtij viti si datë për të dëgjuar deklaratat e tij. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje.
Ndërsa tani që në krye të institucioneve të Kosovës është lideri i VV’së, Albin Kurti, ish-gjyqtari i EULEX’it, Malcolm Simmons, nuk po ftohet që të dëshmojë për pretendimet rreth këtij misioni.









