Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani theksoi se mbështetja e Sllovakisë për hyrjen e vendit tonë në Bashkimin Evropian (BE) është e qartë, pa mëdyshje dhe parimore. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane e Republikës së Sllovakisë, Ivan Korçok sot arriti për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.
Osmani dhe Korçok u takuan në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shkup, ndërsa pas takimit, ata mbajtën konferencë të përbashkët për media.
Duke theksuar se fillimin e turit Ballkanik të ministrit sllovak Korçok nga Shkupi e shikon si sinjal shtesë e mbështetjes së vendit. Osmani tha se Qeveria e Sllovakisë në vazhdimësi zëshëm e thekson mbështetjen për Maqedoninë e Veriut.
“Mbështetja nga ana e Sllovakisë është e qartë, pa mëdyshje dhe parimore. Maqedonia e Veriut meriton fillim të negociatave, sepse ka edhe vendim të miratuar me konsensus nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian në muajin mars të vitit të kaluar”, theksoi ministri Osmani.
Osmani po ashtu theksoi se Sllovakia ka dhuruar 4 sisteme më bashkëkohore respiratore që paraqesin mbështetje të rëndësishme për kapacitetet shëndetësore të vendit. Ai, mes tjerash informoi se Qeveria e ka pranuar propozimin për hapjen e ambasadës në Bratisllavë, por jo si simbolikë, por si kontribut thelbësor dhe përforcim të miqësisë mes dy vendeve.
Ministri sllovak i Punëve të Jashtme Korçok, nga ana e tij theksoi mbështetjen që ky vend e jep për fillimin e negociatave me BE-në, duke shfaqur shpresën se anëtaret e BE-së do të arrijnë konsensus gjatë presidencës portugeze me BE-në.
“E konfirmova mbështetjen tonë për qëllimin tonë që të bëheni anëtare të Bashkimit Evropian meqë kjo është zgjedhja juaj, dhe absolutisht e mbështesim atë që lirshëm vendosët ta ndani ardhmërinë tuaj së bashku me ato në Bashkimin Evropian“, theksoi Korçok.
Korçok duke theksuar kënaqësinë për vendimin për hapjen e ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Bratisllavë tha se kjo do t’i nxisë marrëdhëniet mes dy vendeve, veçmas në planin ekonomik. Krahas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Korçok do të takohet edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski dhe me kryeministrin Zoran Zaev.
Vizita e ministrit sllovak është në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe angazhimet e Sllovakisë për sigurimin e perspektivës evropiane për rajonin.









