Pas daljes nga Kryesia e Kuvendit, gjatë një prononcimi për mediat, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka sjellë në vëmendje të publikut, fragmentin kur i hodhi çizmet në shenjë proteste kryeministrit Edi Rama.
Kryemadhi u shpreh se mesazhi ishte i qartë; paralajmërim për këtë qeveri, ndërsa shtoi se nuk do të ndalet.
“Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë të vendosur që mos të shkelin Kushtetutën. Është një Kushtetutë që e kemi vendosur me 140 vota. Është një kushtetutë që i kushtoi shumë popullit shqiptar.
Është një Kushtetutë që është abuzuar shumë. Njerëzit që donin të përdornin këtë sistem drejtësie, ditën e hënë e shkelin Kushtetutën. Sa i takon çizmes, meqë e kanë merak të madh, e sqarova dhe në byro që më kujtoi Byronë e 30 viteve më parë, pasi ishin të njëjtat fytyra. Çizma është simboli paralajmërimi për këtë vend të drogës. Nuk kam për t’u ndalur. Shqiptarët e kanë vendosur në Paris për të marrë lirinë, dhe jo më këtu. Nuk më shqetëson asgjë sesa varfëria e shqiptarëve”, tha Kryemadhi.










