Kryeministrat slloven e holandez kapen keq me fjalë: “Mos humb kohë me ambasadorë”

Një vizitë e deputetëve evropianë për ta vlerësuar lirinë e medieve në Slloveni ka nxitur perplasje fjalësh në Twitter mes kryeministrit slloven, Janez Jansa, dhe homologut të tij holandez, Mark Rutte. Në përplasje u përfshi edhe Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Jansa e dënoi vizitën e delegacionit prej tetë deputetësh, të cilët shkuan në Slloveni për ta vlerësuar gjendjen rreth sundimit të ligjit, lirisë së medieve dhe luftës kundër korrupsionit, shkruan Reuters.

“Kush jeni ju? Sa herë keni vizituar një kancelar gjerman, një kryeministër holandez ose një president francez?”, shkroi kryeministri slloven të enjten në Twitter.

“Meqë ra fjala, është Holanda vendi ku ka humbur jeten gazetari i fundit në BE”, shtoi kryeministri slloven në postim, duke iu referuar ekzekutimit të reporterit të njohur holandez, Peter de Vries, në korrik të këtij viti.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, e quajti të patakt këtë deklaratë, duke thënë se e dënon atë në termat më të fuqishëm të mundshëm dhe se këtë porosi ia ka përcjellë ambasadorit të Sllovenisë në Hagë.

Slloveni Jansa më pas iu kundërpërgjigj homologut holandez: “…Mark, mos humb kohë me ambasadorë e liri të shtypit në Slloveni…mbroji gazetarët tuaj që të mos ekzekutohen rrugëve.”

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, shkroi në Twitter se Jansa duhet t’i ndalë provokimet kundër deputetëve evropianë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu