Avdullah Hoti, kandidati i mandatuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaҫi, është deklaruar kohë më parë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në kohën kur ishte deputet, shkruan Bota Sot.
Nga deklarimi i tij, ai tregon se ka mbi 40 mijë euro borxhe, duke përfshirë kështu një kredi për blerjen e banesës, huazim për blerjen e truallit dhe pagesën për dy vite akademike.
Për pasurinë e Hotit, Bota sot ka raportuar edhe më parë. Kjo i referohet formularit të vitit 2019, kur Avdullah Hoti kishte deklaruar pasurinë si deputet.
Ai ka deklaruar tri banesa të tij, në pronësi të përbashkët, të cilat kapin vlerën 233 mijë euro. Veturën që e kishte poseduar në formularët paraprak deklaron se e kishte shitur dhe aktualisht nuk ka një tjetër.
Derisa mban të kursyera mbi 2600 euro, Hoti ka deklaruar se ka borxhe të mëdha. Vlera e tyre arrin mbi 40 mijë euro.
Te hyrat vjetore të tij janë afro 55 mijë euro në vit, duke përfshirë pagën e deputetit, pagat nga dy universitetet, UP dhe kolegji Dardania, mëditjet dhe qiratë. Pasuria e tij në total del të jetë mbi 290 mijë euro.










