Kryeministri Kurti vjen me një lajm shumë të mirë për Kosovën

Kosova është renditur në grupin A të vendeve lidere në qeverisje digjitale, sipas Indeksit të Bankës Botërore për Maturitet të Teknologjisë Qeveritare (GTMI), duke u pozicionuar në mesin e shteteve me nivel të lartë të maturitetit digjital.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka theksuar se rezultatet e publikuara dëshmojnë progres të dukshëm gjatë tre viteve të fundit, në 48 indikatorë kyç që përfshijnë sistemet kryesore qeveritare, nxitësit e digjitalizimit, përfshirjen e qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Sipas të dhënave të indeksit, Kosova ka shënuar ngritje të vazhdueshme ndër vite: në 2020 ishte në grupin C, në 2022 u rendit në grupin B, ndërsa këtë vit ka arritur në grupin A, si rezultat i reformave të zbatuara në fushën e transformimit digjital.

Avancimi në indeksin GTMI, sipas Kryeministrisë, konfirmon përparimin e Kosovës në ofrimin e shërbimeve elektronike, forcimin e qeverisjes së të dhënave, zhvillimin e shkathtësive digjitale në administratën publike dhe zbatimin e një qasjeje mbarëqeveritare ndaj digjitalizimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu