Olta Xhaçka do të jetë ministre e re për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, pas largimit të Gent Cakajt nga kjo pozitë. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme”, ka shkruar Rama.
Ai ka falënderuar Cakajn për punën e kryer sa ishte në krye të Ministrisë së Jashtme. “Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, shkruan Rama.









