Kryeparlamentarja ​Osmani nga Prekazi: Sakrifica e Jasharajve të jetë mësim për shqiptarët

Në ditën e fundit të manifestimit të ditëve të “Epopesë së UÇK-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe pranë shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz.

Të dy krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulësh në shtëpinë që është simbol i lirisë së vendit, por asnjëri nuk ka folur për gjendjen në të cilën janë lënë Kullat e Jasharajve.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sakrifica e kësaj familje duhet të jetë si mësim për secilin shqiptar dhe secilin qytetar të Republikës sonë.

“Shpresoj që fryma e bashkëpunimit dhe e bashkimit të këtyre tri ditëve do të vazhdojë edhe pas 7 marsit, sepse është pikërisht sakrifica e kësaj familje që duhet të jetë si mësim për secilin shqiptar dhe secilin qytetar të Republikës sonë. Siç i patë fëmijët që ishin këtu me lule ishin këtu në nderim për secilën nga viktimat e atyre sulmeve, atyre masakrave dhe po ashtu prezenca e gjithë qytetarëve këtu sot dhe çdo ditë dëshmon për respektin e thellë që sot e ka secili qytetar i vendit tonë për sakrificën e familjes Jashari”, tha Osmani.

Kurti e Osmani janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, i cili i ka shoqëruar edhe gjatë homazheve tek kullat.

Sot përfundon manifestimi “Epopeja e UCK-së”, ku në mbrëmje do të organizohet nata e zjarreve në Prekaz.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu