Kryetari i Çairit del pozitiv me koronavirus

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu ka rezultuar pozitiv me Covid – 19. Lajmin e ka bërë të ditur vet ai përmes një postimi në fejsbuk.

Ja postimi i plotë i Ganiut: “Të nderuar qytetarë, Pas testimit të realizuar dje për mundësinë e infektimit me COVID-19, Ju INFORMOJ se kam rezultuar POZITIV.

Ndjej keqardhje për të gjithë ju/ata me të cilët kam pasur kontakt. Nga ky pozicion edhe njëherë JU APELOJ, JU LUS për kujdes, masa mbrojtëse dhe respektim të rekomandimeve! Bashkë do të ia dalim!”, ka shkruar Ganiu.

Ai sot përmes një pronocimi tjetër ka pranuar se ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me coronavirus. Ganiu shtoi se si vetëqeverisje lokale kanë marrë masa sipas rekomandimeve të ekspertëve dhe kanë bërë gjithçka që është nën kompetencë të tyre.

“Ne u konsideruam komunë që kishte numrin më të vogël të pacientëve, ndërsa para përfundimit të Ramazanit kishim vetëm tre persona të cilët me adresë ishin prej Çairi, por nuk jetonin këtu. Nuk do të doja të paragjykoja dhe të hyja në analiza për të cilat, si qeveri lokale, ne nuk kemi as kompetenca, as njerëz profesionistë për ta bërë këtë”, tha Ganiu.

Duke folur për mundësinë e karantinimit të kësaj komune, Ganiu nënvizoi se nuk mundet që vetëm Çairi të vendoset në izolim, duke shtuar se kjo nuk është zgjidhje.

Ky problem nuk zgjidhet me izolimin e Çairit. Nëse ndërmerret diçka duhet të jetë për të gjithë Shkupin. Çairi është arterie përmes së cilës lidhen edhe dy komunat tjera, Buteli dhe Shuto Orizare”, thotë Ganiu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu