Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka shqyrtuar dhe hedhur poshtë si të pabazuara të gjitha 16 ankesat që u paraqitën në lidhje me procedurat e votimit dhe përmbledhjen e rezultateve të zgjedhjeve lokale në komunat Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh. Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, informoi se sot do të përgatiten vendime individuale për secilën ankesë dhe do t’u dorëzohen paraqitësve, transmeton Portalb.mk.
Kondarko shtoi se Komisioni do të presë afatet ligjore për padi të mundshme në Gjykatën Administrative në 24 orët e ardhshme, pas së cilave, nëse ka, Gjykata është e detyruar të veprojë brenda 48 orëve nga pranimi.
“Kjo do të thotë që më së voni deri në fund të fundjavës do të kemi vendimet e Gjykatës Administrative nëse ka padi. Nëse nuk ka padi, në momentin e parë kur të skadojnë afatet, pra kur vendimet të bëhen të plotfuqishme, KSHZ do të mbajë seancë për të shpallur rezultatet përfundimtare për komunat Bërvenicë, Shuto Orizarë dhe Karposh”, tha Kondarko.
Për Shuto Orizarë u paraqitën 13 ankesa, 10 prej të cilave ishin nga koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, dhe tre nga Unioni i Romëve. Dy ankesa u paraqitën nga koalicioni “Përvoja për sukses” për dy vendvotime në Komunën e Karposhit, ndërsa një ankesë në KSHZ u paraqit edhe nga kandidati për kryetar të Bërvenicës nga VLEN, Haqim Ramadani. Komisioni Shtetëror Zgjedhor i hodhi poshtë të gjitha si të pabazuara.
Përndryshe dje Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e 155-të shpalli rezultatet zyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 për zgjedhjen e kryetarëve në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit.
Ndryshe më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë, ndërsa më2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.










