Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, ka njoftuar se vendimi për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë eurove për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, pas fitores ndaj Sllovakisë, do të jetë gati për miratim të hënën në mbledhjen e Qeverisë.
Murati e bëri njoftimin përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se ky vendim merret me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.
“Mirëmëngjes fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, ka shkruar Murati.
Kryeministri Kurti ka premtuar se, në rast se Kosova fiton kundër Turqisë në finalen e “play-off”-it dhe siguron një vend në Kupën e Botës 2026, shpërblimi do të rritet në 1 milion euro për futbollistët dhe stafin.
Fitorja historike ndaj Sllovakisë, me rezultat 4-3 në gjysmëfinale, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt objektivave historike të Kombëtares së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Finalja do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do të përballet me Turqinë.










