Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka dalë nga objekti i Kuvendit të Kosovës pas dështimit të seancës konstituive.
Pyetjeve të gazetarëve ai iu përgjigj duke i referuar te një postim që e kishte bërë pak më herët në Facebook.
“E kam dhënë një deklaratë tashmë të shkurtër, të cilën mund ta lexoni”, ka thënë Kurti.
Në këtë posti, Kurti ka shkruar se deputetët e “PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve”, duke i akuzuar ata për bllokim të institucioneve.
“Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së s’e votuan këtë raport pa një dorëheqje zyrtare të Kurtit dhe ministrave që fituan mandate në këto zgjedhje.