Kurti në samitin e Vjenës: Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, të ballafaqohet me të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën.

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”.

Ai në samitin e gjashtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor ka deklaruar Kosova është duke e menaxhuar me sukses pandeminë COVID-19.

“Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë COVID-19”.

Kurti ka theksuar në samitin e organizuar nga Kancelari austriak, Sebastian Kurz, se eksporti dhe të hyrat buxhetore në vend janë rritur më shumë se në vitin e kaluar.

“Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara”, ka thënë Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu