Kurti: Nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje të reja, pa folur Gjykata Kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar çështjen e shpërndarjes së Kuvendit me dekret nga presidentja Vjosa Osmani, përcjell TV21. Kurti tha se sipas Kushtetutës, Kuvendi nuk është dashur të shpërndahej tani. Ai shtoi se nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, pa u deklaruar Gjykata Kushtetuese.

“Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja, pa e thënë fjalën e vetë Gjykata Kushtetuese. Me qenë se kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre, ata kanë një materie që tash duhet ta trajtojnë. Deputetët që u zgjodhën për 4 vjet në legjislaturën e 10, nuk i mbushën as 4 javë të detyrës së tyre. Sot në mëngjes u njoftuam nga mediat që me dekret është shpërndarë Kuvendi. Neni 86, paragrafi 6 i Kushtetutës, parashikon që në votimin e tretë, asnjë kandidat nuk zgjidhet president, pra asnjëri nga kandidatët nuk i merr 61 vota. Ne nuk kemi mbërritur atje. Dy kandidatë ishin dje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë, e lëre më i treti”, theksoi Kurti, duke shtuar se “Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”.

“Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars”, shtoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu