Pas ngjarjeve të orëve të fundit, kur organizata studentore “Studim, Kritik, Veprim”, e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje po festonte në Parkun e Qytetit dhe Policia ndërhyri pas zhurmës që po shkaktonin, ka reaguar zëdhënësja e kësaj partie.
Tinka Kurti ka thënë se sonte Policia lëndoi dhjetëra aktivistë e 5 të tjerë i arrestoi.
“Çka po mendon policia? Që çdo decibel të zërit ta kontrollojë me shkopinj gome, sprej e të gjitha që kanë me vete për studentët. Ora nuk ishte as 23:00 kurse shumica e studentëve qenkan arrestuar duke u shpërndarë”, ka thënë Kurti.
“Atë që e kursejnë prej kriminelëve e përdorin në studentët. E pajustifikueshme”, ka thënë më tej ajo.
SKV: Dhuna e Policisë ndaj festës sonë, e pajustifikueshme
23:45 – Studentët nga SKV-ja, që sonte po festonin në një ndejë në Parkun e Qytetit, kanë akuzuar zyrtarët policorë se kanë përdorur forcë të tepruar për të shpërndarë ata.
Arta Berisha, njëra prej studenteve ka treguar për KTV-në, se megjithatë Policia e Kosovës ua kishte tërhequr vërejtjen dhe se duhej t’ia ulnin zërin muzikës që shkaktonte zhurmë, për të cilën ishin ankuar edhe banorët përreth Parkut.
“Ata kanë arrestuar disa persona. As anëtarët e SKV-së nuk e dinë numrin e të arrestuarve. Ne sot ishim duke festuar 8 vjetorin e themelimit. Policët kanë ardhur dhe kanë ushtruar dhunë. Ata kanë ardhur dhe ne i kemi treguar se kemi leje prej Komunës së Prishtinës. Kanë kërkuar që t’ia ulim zërin muzikës dhe ne ashtu bëmë. Më pas policia është kthyer sërish dhe ka nisur dhunën”, ka thënë Berisha, për KTV-në.
Ajo ka thënë se “sjelljet e tyre kanë qenë të pajustifikueshme”.
“Dhuna që ka përdorë Policia ndaj të rinjve, e studentëve, është e pajustifikueshme”, ka thënë ajo.
Sipas Berishës, në festë kanë qenë diku prej 100 deri në 200 persona.
Më pas, në një postim në faqen zyrtare të kësaj organizate studentore në Facebook, është thënë se janë arrestuar pesë persona, derisa dhjetëra të tjerë janë duke pranuar ndihmë mjekësore.
SKV dënon dhunën nga policia, kërkon lirimin e të arrestuarve
Edhe Lëvizja Studim, kritikë, veprim, pas kësaj ndodhie ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke treguar se si ndodhi e gjithë ecuria.
Kanë treguar se janë arrestuar 5 persona dhe disa tjerë janë duke u trajtuar në spital.
“5 të arrestuar dhe dhjetëra aktivistë studentë në spital nga intervenimi i brutal i Policisë Sot, Lëvizja STUDIM KRITIKË VEPRIM, shënoi 8 vjetorin e themelimit të saj. Gjatë ditës patëm ekspozitën në kampusin universitar me aktivitete të SKV-së dhe në mbrëmje në ”Parkun e Qytetit” ishim mbledhur për të shfaqur dokumentarin e Lëvizjes sonë studentore”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, Policia e Kosovës rreth orës 22:00 “erdhi dhe në mënyrë brutale ndaloi aktivitetin në hapësirë publike duke intervenuar edhe dhunshëm mbi studentët aktivistët që ishin mbledhur aty. Nga ky intervenim u arrestuan 5 aktivistë dhe dhjetra të tjerë po marrin trajtim në ambulantë”.
Tutje ata kanë thënë se kjo dhunë nga ana e policisë së Kosovës, është e pajustifikueshme.
“Dhuna e Policisë është e pajustifikueshme dhe e qëllimshme, pasiqë po të njëjtit policë ishin edhe disa orë më vonë dhe aktiviteti ynë u ndërpre dhunshëm para orës 23:00 të mesnatës. Ne dënojmë ashpër dhunën policore dhe kërkojmë menjëherë lirimin e aktivistëve”, përfundon reagimi.
Policia ndërhyn në festën e 8 vjetorit të themelimit të SKV-së
Organizata Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka festuar 8 vjetorin e themelimit me një ndejë në Parkun e Qytetit në Prishtinë.
Zhurma që ata kanë shkaktuar ka penguar banorët përreth.
Sipas njoftimeve nga dëshmitarët, Policia e Kosovës ka ndërhyrë duke shpërndarë këtë festë.